Qeveria miraton marrëveshjen e lehtësimit të vizave me Islandën
Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së djeshme marrëveshjen për lehtësimin e vizave me shtetin e Islandës. Me miratimin e kësaj marrëveshjeje qytetarët shqiptarë që janë të interesuar të shkojnë në Islandë do të aplikohen kushte lehtësuese për marrjen e vizës. Po kështu dhe shtetasit e Republikës së Islandës që dëshirojnë të vizitojnë Shqipërinë në bazë të kësaj marrëveshje ndjekin procedura lehtësuese për marrjen e vizës. Marrëveshja për heqjen e vizave është nënshkruar midis Shqipërisë dhe shtetit fqinj Maqedonisë si dhe me vende të tjera kryesisht brenda rajonit të Ballkanit.
Ngjela do të lobojë në Kuvend për pronat e Himarës
Deputeti i pavarur, Spartak Ngjela, do të lobojë në Parlament për të zgjidhur çështjen e pronave në Himarë, e më tej në gjithë vijën bregdetare të Jugut. Avokati i njohur ka deklaruar dje arsyet që e rreshtuan përkrah protestës së zhvilluar ditën e diel në Himarë. Ngjela akuzon anëtarë të kabinetit qeveritar si të implikuar në trafikimin e tokave në bregdet. Sipas deputetit të përjashtuar nga Partia Demokratike, fajtorë për abuzimet me tokat në bregdet janë jo vetëm qeveritarët e sotëm, por dhe drejtuesit e pushtetit vendor. Ngjela ka bërë të ditur dje se do të krijojë në Kuvendin e Shqipërisë një lobing për të zgjidhur përfundimisht çështjen e pronës. Avokati njihet për idetë e tij liberale dhe që mbështesin ekonominë e tregut. Ai ka bërë të qartë se mbështet parimin që toka të shkojë tek pronari i ligjshëm.
Fatmir Mediu kërkon bashkimin e së djathtës
Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu shprehet se bashkëpunimi me PD-në dhe partitë e tjera aleate është i rëndësishëm në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Mediu tha se republikanët e kanë hedhur idenë e një bashkimi të ri të së djathtës që në kongresin e saj. Sipas tij, organizimi i së djathtës duhet të jetë jo vetëm për qëllime elektorale, por dhe ne funksion të një organizimi të përbashkët. “Mendoj se këto identitete politike ndihmojnë për një bashkëpunim më të mirë dhe të drejtpërdrejtë, ashtu siç ndihmojnë për të vlerësuar gjykimin politik të subjekteve politike të së djathtës”, - tha ai. Kreu i PR-së shprehet se diskutimet për mënyrën e bashkëpunimit janë të shumta, ndërsa ajo që do të përcaktojë pozicionin politiko-elektorale të republikanëve lidhet drejtpërdrejtë me Kodin Zgjedhor. “Një e djathtë e unifikuar është natyrisht shumë herë më e fuqishme, shumë herë më pretenduese dhe shumë herë më e angazhuar për të realizuar programin e saj”, - vijon Mediu. Ai i dha këto vlerësime në një takim më krerët e degëve në rrethe, ku është diskutuar rreth mënyrës së organizimit të degëve të kësaj partie. Mediu ka nënvizuar marrëdhëniet shumë të mira dhe reciproke që ka kjo forcë politike me PD-në, forcën kryesore të aleancës së djathtë qeverisëse. Po kaq të mira, sipas tij janë dhe marrëdhëniet me partitë e tjera.
14 Gusht 2008