E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, fond për të paguar zyrën e PNUD-it në Tiranë



Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së djeshme një shtesë fondi për institucionin e Kryeministrisë. Fondi prej 511 422 dollarësh do të përdoret për të paguar zyrën e PNUD-it në Tiranë në zbatim të marrëveshjes së Planit të Veprimit të Programit Kombëtarë. Kjo marrëveshje është nënshkruar midis qeverisë shqiptare dhe PNUD-it më 11 prill të vitit 2006. Fondi prej 511 422 dollarësh rrjedh nga fondi rezervë i këshillit të Ministrave. “Kryeministrisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2008, t’i shtohet fondi 511 422 dollarë, për pagesën e zyrës së PNUD-it, në Tiranë, në zbatim të marrëveshjes së Planit të Veprimeve të Programit Kombëtar, 2006 - 2010, të nënshkruar ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, më 11 prill 2006”, bëhet e ditur në vendimin e qeverisë.

Përcaktohen pagat për Njësinë e Koordinimit të Ndihmës së Huaj

Këshilli i Ministrave ka miratuar gjatë mbledhjes së djeshme vendimin për rritjen e pagave të punonjësve të Njësisë së Koordinimit të Ndihmës së Huaj, organ ky i ngritur pranë Këshillit të Ministrave. Vendimi i qeverisë parashikon rritjen e pagës së këtyre punonjësve me 1700 lekë. Ndërkohë që paga e punonjësve të administratës së institucioneve të larta shtetërore do të rritet me 4%, siç është parashikuar dhe më parë. Po kështu përcaktohet dhe paga e drejtorit të njësisë së koordinimit të ndihmës së huaj. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, do të përballohen nga buxheti i vitin 2008, i miratuar për Kryeministrinë.

14 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›