E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, pranga bandes së kishave e xhamive

Dy hajdutë profesionistë, që nuk kursenin as kisha e xhamia, kanë përfunduar në prangat e policisë kryeqytetase, ndërkohë që u janë dokumentuar një sërë vjedhjesh. Gëzim Ymeri dhe Totila Koçi, të dënuar edhe më parë për vepra të ndryshme penale, akuzohen se kanë kryer vjedhje në një sërë qytetesh.
Sipas policisë kryeqytetase, falë një pune hetimore për disa javë, nga shërbimet e Komisariatit të Kavajës u krye arrestimi në flagrancë i Gëzim Myfit Ymerit, 36 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje dhe Totila Dhimitër Koçit, 31 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, i dënuar më parë për pjesëmarrje në banda të armatosura. Arrestimi i tyre u krye sepse dy ditë më parë, rreth orës 11:30, janë kapur bashkë në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit Kavajë. Shoqërimi i tyre është bërë pasi Ymeri ka qenë person i shpallur në kërkim më datë 03 maj 2009 nga Komisariati i Policisë Lushnjë, po për veprën penale të vjedhjes, e kryer në bashkëpunim. Me këtë rast, policia ka bërë edhe verifikimin e Koçit, i cili dyshohet të jetë bashkëpunëtor me 36-vjeçarin.
Po ashtu, policia tha se u dokumentua tërësisht se të sipërcituarit vidhnin kryesisht njësitë tregtare e ushqimore, banesa, institucione fetare dhe bagëti. Në lidhje me vjedhjen e institucioneve fetare, që tashmë është vepër penale edhe më e rëndë se vjedhjet e zakonshme, uniformat blu nga grupi hetimor detajuan se kanë kryer vjedhje të kishave të Divjakës së Rrethit të Lushnjës, të fshatit Greth në Kryevith të Rrethit të Kavajës dhe vjedhjen e Kishës së Shën Thanasit në Elbasan. Rastet e rënda tashmë janë dokumentuar nga policia, pavarësisht se të arrestuarit nuk i kanë pranuar akuzat.
Ata dyshohen edhe për vjedhje të bagëtive të ndryshme në Divjakë dhe në fshatin Kalush të Kavajës. Po ashtu, nga puna e bërë ka rezultuar se shtetasit e mësipërm dyshohen të jenë autorë të vjedhjes së bagëtive më datë 13 maj 2009. Ndërkohë, ndaj tyre është dokumentuar tërësisht implikimi i tyre në një sërë vjedhjesh të tjera të pasurisë në qytete si Devoll, Librazhd, Elbasan, Kavajë dhe Lushnjë. Veç rasteve të lartpërmendura, policia dyshon se ata kanë kryer edhe vjedhje të tjera. Aktualisht, atyre u janë marrë shenjat e gishtave dhe në laboratorin e policisë shkencore po kryhen verifikime për vjedhje të tjera. Grupi hetimor shpjegoi se ata bashkëpunonin me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë, që ende janë në proces hetimi. Ndërsa në Kavajë, ku kishin qendrën, ndanin paratë e përfituara nga sendet e vjedhura dhe të shitura. Grupi i punës ka ushtruar kontrolle edhe në banesat e tyre, por deri tani nuk është gjetur ndonjë provë implikuese, duke shpjeguar kështu se ata ishin profesionistë dhe arrinin t‘i fshihnin gjurmët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›