Emeton eurobonde, qeveria merr borxh në bursa
Kryeministri Berisha bëri të ditur dje, në mbledhjen e qeverisë, se Shqipëria, për herë të parë, del në tregun financiar ndërkombëtar me bonot e veta të thesarit. Berisha e vlerësoi këtë vendim si një arritje të vërtetë për ekonominë e vendit. Kryeministri theksoi se ndonëse këto bono dalin në një kohë globale të papërshtatshme, Shqipëria sërish jep sinjalet më pozitive. Nga ana tjetër, ministri i Financave, Ritvan Bode, ka deklaruar se vlera për këto bono do të jetë 400 milionë euro. “Ekonomia shqiptare, këto tre muaj, në disa aspekte ka një performancë të paprecedentë. Dua t’ju rinjoftoj se eksportet shqiptare ‘Made in Albania’, në tremujorin e parë të këtij viti kanë pasur rritjen më të madhe në historinë e këtij vendi, por kanë pasur gjithashtu një rritje të paparashikuar krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2009”, theksoi Kryeministri. Berisha i ftoi të gjithë mosbesuesit, që të flasin për krizë ekonomike, t’u referohen të dhënave të agjencive ndërkombëtare, të cilat dëshmojnë qartë për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. “I ftoj të lexojnë të dhënat e të ardhurave dhe t’i marrin ato nëpërmjet transaksioneve bankare, taksat në tërësi janë on-line, po kështu edhe doganat dhe nuk kanë asnjë vështirësi, të konkludojnë se ata, të cilët thonë se kjo qeveri në maj nuk do të ketë para për të paguar pagat, nuk janë gjë tjetër veçse sharlatanë të klasit të parë”, i cilësoi Berisha të gjithë skeptikët e rritjes ekonomike në vend.
#