E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet në Shqipëri pas 12 vitesh "Mandela"

TRANE- Pas më tepër se 12 vitesh, drejtuesi i një prej bandave më të egra që kanë pasur aktivitet në Shqipëri, në qytetin e Elbasanit, është ekstraduar në drejtim të Shqipërisë për të vuajtur dënimin e burgimit të përjetshëm dhënë ndaj tij nga drejtësia shqiptare në vitin 1999.


Lajmi është bërë i ditur dje në mesditë nga Policia e Shtetit nëpërmjet një njoftimi zyrtar të dhënë prej saj.


"Mandela" 44 vjeç , nga Elbasani, është ekstraduar dje në masa të rrepta sigurie nga Parisi. Në Rinas, "Mandela" mbërriti në orën 14:15, e pas mbërritjes së tij, policia i ka komunikuar vendimin e dënimit të dhënë ndaj tij nga Gjykata e Elbasanit në vitin 1999.


"Aktiviteti kriminal i të ekstraduarit Eduart Peqini dhe i bandës të njohur ndryshe si Banda e Mandelës , ku ky shtetas ka qenë kryetari i saj, përkon me periudhën prill-shtator 1997, dhe konsiston në një sërë aktesh si vrasje, vjedhje me armë dhe me dhunë, plagosje, prostitucion, rrëmbime personash dhe shkatërrim pronash etj",- thuhet në njoftimin e Policisë së Shteti.


Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me datë 29 shtator1999, e ka dënuar Peqinin me burgim të përjetshëm për krimet e "Krijimit dhe pjesëmarrjes në bandë te armatosur", "Vrasjeve me paramendim", "Vrasjeve me dashje" të mbetur në tentativë, "Vrasjeve me paramendim" e kryer në bashkëpunim, "Mbajtjes pa leje të armëve luftarake", "Shkatërrim i pronës", "Rrëmbim personi", dhe "Vjedhje me pasojë vdekjen".


Ai është arrestuar katër vite më parë në Francë nga policia e këtij vendi, ndërsa menjëherë, ku ai ishte arrestuar dhe akuzuar për krimet e trafikut të drogës dhe shfrytëzimit të femrave për qëllime prostitucioni.


Pas ndalimit të tij, policia franceze i sekuestroi atij një shumë të konsiderueshme prej afërsisht 2 milionë dollarësh që sipas tyre ai i kishte fituar në rrugë të jashtëligjshme.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›