Ndizet fushata, PS-së nuk i lejohet mitingu në bastionin e Berishës
Ndizet edhe më shumë fushata paraelektorale. Partia Socialiste ka reaguar ndaj një vendimi të Bashkisë së Kavajës, e cila nuk ka lejuar zhvillimin e një takimit të planifikuar për sot të kreut të PS-së Edi Rama me banorë të këtij qyteti. Socialistët kërkuan pak ditë më parë sallën e Qendrës Kulturore të qytetit të Kavajës për datën 20 mars, ku do të zhvillohej takimi i planifikuar. Por dje Bashkia e Kavajës ka dërguar një shkresë me përgjigje definitive pranë zyrave të Partisë Socialiste, ku lajmëron se salla nuk mund të përdoret në datën e kërkuar, pasi aty do të zhvillohen prova për grupin artistik që do të marrë pjesë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Lidhur me këtë gjë ka reaguar menjëherë deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani, i cili e ka quajtur një turp shkresën e Bashkisë. “PS-ja kishte planifikuar për nesër të bënte një takim me kryetarin Edi Rama dhe me vullnetarët në qytetin e Kavajës në Pallatin e Kulturës. Dërguam shkresën zyrtare para disa ditësh, nuk morën asnjë përgjigje. Sot patëm përballë një sjellje të patolerueshme të një përfaqësuesi të pushtetit vendor, i cili nuk denjoi të na priste, po nuk pranoi të na jepte as shkresën. Nuk e kuptoj se nga vjen kjo frikë. Askush nuk mund të ndalojë ndryshimin, askush nuk mund të sillet kështu dhe një person i tillë nuk e meriton të përfaqësojë popullin e Kavajës”, - tha deputeti i PS-së, Harasani.
Ballsh, Rama me vullnetarët: “Të bashkohemi kundër varfërisë dhe papunësisë!”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka vazhduar turin e tij me vullnetarët e Bashkimit të Ri për Ndryshim në qytetin e Ballshit. Në këtë qytet, ku papunësia dhe varfëria janë bashkudhëtare të qytetarëve të tij, Rama ka vënë theksin te fakti se bashkimi i të gjithë shqiptarëve përtej flamujve e kufijve të vjetër të partive, do t’i çojë ata jo vetëm në fitoren e zgjedhjeve më 28 qershor, por mbi të gjitha në ndarjen e me të shkuarën. “Ne do ta fitojmë betejën me varfërinë dhe papunësinë”, - nënvizoi Rama.
Rama edhe në Ballsh ka bërë apel për t’u bashkuar të gjithë, për të bërë të mundur që në këtë vend mos shuhen shpresat e ëndrrat, për të bërë të mundur që ky vend mos zvarritet dhe 4 vjet të tjera nga duart e paafta që e drejtojnë sot: “Martin Luter King ka thënë një fjalë që dua t’ua them sot: ‘Të bashkohemi si vëllezër, në rast se nuk duam të zvarritemi gjithë jetën si të marrët’. Kjo është fjala e tij”, - tha Rama.
20 Mars 2009