Ekstradohet nga Greqia shqiptari, u dënua me 20 vjet burg
TIRANE- Një 42 vjeçar nga Korça, i dënuar me 20 vjet burg nga drejtësia shqiptare për vrasjen e një emigranti gjatë tentativës për ta grabitur atë, u ekstradua sot nga Greqia, nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana. Andrea Berberi u arrestua në kryeqytetin grek në 6 tetor të vitit të kaluar, si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën. Ai ishte në kërkim, pasi në 3 tetor të vitit 2008 ishte dënuar me 20 vjet burg nga Gjykata e Apelit në Korçë për vjedhje me pasojë vdekjen, e kryer në bashkëpunim, njoftoi Policia e Shtetit. Sipas burimeve, ngjarja për të cilën ai është dënuar ka ndodhur në 4 janar të vitit 2000, në fshatin Kapshticë në Devoll, në vendin e quajtur Qershitë. Andrea Berberi në bashkëpunim me Ilir Qosen kanë ndaluar disa persona teksa po tentonin të kalonin ilegalisht në Greqi. Të maskuar, përmes kanosjes me armë automatike, ata u kanë grabitur paratë grupit të emigrantëve ilegalë, ndërsa njëri prej tyre, Xhemal Guri, që ka tentuar të largohet është qëlluar me armë nga dy autorët dhe si pasojë ka gjetur vdekjen. Mësohet se 42 vjeçari Berberi iu dorëzua përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, pas mbërritjes në aeroportin “Nënë Tereza”.(m.a/BalkanWeb)