Vrasja e emigrantit, hakmarrje për vëllain
Etleva Delia
Policia e Tiranës gjeti dje prova të tjera, që tregojnë se vrasja e emigrantit Arben Visha, dy net më parë në kryeqytet, mund të jetë kryer për shkak të një hasmërie 13-vjeçare. Burime nga grupi hetimor thanë se 38-vjeçari që u vra të mërkurën në mbrëmje ishte i implikuar në një vrasje në vitin 1997, por gjithashtu edhe i vëllai po në atë vit plagosi një person, i cili ndërroi jetë në spital. Policia e Tiranës aktualisht po mban nën vëzhgim dy familje, një në Kamzë dhe një tjetër në fshatin Vilnicë të Tiranës. Policia tha se një person është shpallur në kërkim, me mbiemër Dara, por nuk përjashtohet mundësia që ekzekutimi i emigrantit në Tufinë, pranë “Kafes së Rremës”, mund të ketë më shumë se një autor. Pistat hetimore janë përforcuar edhe më shumë pas deklarimeve që kanë dhënë përgjatë gjithë natës pas vrasjes e deri mëngjesin e djeshëm, 27 persona të shoqëruar nga hetuesit. Dëshmitë e tyre sipas policisë përputhen jo vetëm me njëra-tjetrën, por edhe me dyshimet e policisë për hakmarrje. Të gjithë personat e shoqëruar për t’u marrë në pyetje kanë deklaruar se janë në dijeni të hasmërisë së vjetër që familja Visha ka me familjen Dara. Madje, sipas tyre ata i ruheshin një hakmarrje të mundshme dhe kjo ka qenë arsyeja që Arben Visha kishte emigruar në Greqi. Të njëjtën gjë kanë deklaruar dje për gazetën “Panorama” edhe fqinjët e familjes Visha në Tufinë të kryeqytetit. Ata u shprehën se nuk ishin në dijeni që Arben Visha ishte kthyer nga Greqia dhe këtë fakt e kanë marrë vesh vetëm pasi ai është ekzekutuar. “Arbeni vinte dhe ikte nga Shqipëria shumë shpesh dhe ne e merrnim vesh vetëm kur ai nuk ndodhej në Tiranë. E dinim që ata ruheshin nga hakmarrja e dikujt, por vetëm kaq”, është shprehur njëri nga fqinjët.
HETIMI
Në deklaratën për shtyp, Policia e Tiranës tha se emigranti Arben Visha, është ekzekutuar me breshëri automatike dhe në vendin e ngjarjes janë sekuestruar 8 gëzhoja. Arma e krimit është një automatik “Skorpions”. Deri disa orë para mesnatës së mbrëmshme policia ka pasur vetëm një të dyshuar për ngjarjen, i cili edhe pas kontrolleve në banesën e tij në Kamëz, nuk është ndaluar. Por veç këtij personi, grupi hetimor po punon për identifikimin e ndonjë tjetër autori, që mund të ketë marrë pjesë në ekzekutimit e 38-vjeçarit, babait të 3 fëmijëve. Policia tha se janë shoqëruar disa persona si të dyshuar për ngjarjen, por që më pas janë lënë të lirë, për shkak të mungesës së provave.