E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta e PS-së në Vlorë, Rama: “Nuk e pengon bojkoti integrimin, por vjedhja e votës”



Shaban Sulçe

Partia Socialiste ka zhvilluar dje protestën e saj të radhës në qytetin e Vlorës, ku ka kërkuar hapjen e kutive të votimit dhe hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Përpara qytetarëve vlonjatë, liderët e opozitës kanë kërkuar largimin e qeverisë aktuale, duke e fajësuar atë për krizën politike dhe ekonomike. Liderët e opozitës kanë ftuar qytetarët e Vlorës dhe të të gjithë Shqipërisë që të marrin pjesë në protestën e madhe të 20 nëntorit. Përpara qytetarëve vlonjatë kanë folur deputetët socialistë të qarkut Vlorë, Deda dhe Toçi, kryetari i Bashkisë, Shpëtim Gjika, kreu i PS-së, Edi Rama, anëtarët e Kryesisë, Ruçi e Dokle, kreu i PDK-së, Nard Ndoka, kreu i PLD-së, Spartak Ngjela, kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, kreu i G99-s, Erion Veliaj, si dhe ish-anëtari i Kryesisë së LSI-së, Ndre Legisi.

Rama
Gjatë fjalës së tij në protestën në Vlorë, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha se integrimi i vendit nuk pengohet nga bojkoti i opozitës, por nga arsyet që e çuan opozitën në marrjen e vendimit për të bojkotuar Kuvendin. “Bojkoti i Parlamentit nuk është zgjedhja jonë, por e vetmja rrugë që kemi sot për të mbrojtur demokracinë nga një deformim dramatik me bazë deformimin zgjedhor, për të luftuar për liri e të drejta të cilat po fashiten si pasojë e shpërfytyrimit të pushtetit ekzekutiv në një regjim oligarkik që po shkon drejt kthimit të Shqipërisë në një skemë të mbyllur politike, pa vota të lira dhe të ndershme, për të mos lejuar që Shqipëria reale, Shqipëria juaj dhe e gjithë qytetarëve, të humbasë zërin e dinjitetin, të humbasë vetveten, përballë një Shqipërie pushtetarësh të korruptuar e suksesesh imagjinare. Integrimin nuk e pengon bojkoti ynë, por e pengojnë pikërisht arsyet që na shtynë ne ta ndërmarrim këtë rrugë të vetme për të shtruar për zgjidhje një problem të rëndë shqiptar si zgjedhjet e deformuara”, - u shpreh Rama. Kreu i PS-së i drejtoi një mesazh të drejtpërdrejtë kryeministrit Berisha. Sipas Ramës, nëse Berisha nuk do të hapë kutitë e votimit, ai do të largohet me anë të zgjedhjeve të parakohshme. “I them sot nga Vlora Sali Berishës se do të fundosesh me turp në batakun ku po e zhyt përditë nga pak Shqipërinë, njësoj si atëherë kur u kërkoje shqiptarëve të ishin të lumtur me piramidat e me pasqyrat e tua. Por, ndryshe nga atëherë, Shqipëria nuk do të fundoset bashkë me ty, sepse po nuk i hape rrugën lirisë dhe demokracisë duke hapur kutitë e 28 qershorit, do të detyrohesh t’i hapësh ti vetë rrugën Shqipërisë shumë më përpara sesa ç’mund të të duket sot, kur u flet broçkulla shqiptarëve nga kutia e mbyllur e Parlamentit për jetën e lumtur që bëjnë. Do të duhet të largohesh me zgjedhje shumë të parakohshme Sali Berisha”, - tha Rama.

Ngjela
Kryetari i PLD-së, Spartak Ngjela, e cilësoi kryeministrin Berisha si një uzurpator. Ai tha se në datën 20 nëntor do të rrëzohet gënjeshtra e integrimit dhe me vizat në BE. Ngjela u shpreh se Berisha ka tmerr nga e vërteta që gjendet në kutitë e votimit. “Të rrëzojmë gënjeshtrën me integrimin, me vizat e BE-së, nëse ka një shkak që jemi të izoluar, shkaku është ky kryeministër. Nëse doni të dini pse nuk kemi të drejtë të lëvizim të lirë në Perëndim, përgjigjja e thjeshtë na thonë se s’keni realizuar standardet. Po kush duhet t’i realizojë? Sigurisht, qeveria. Pse nuk i bëri për 4 vjet ky njeri standardet, po do t’i bëjë në këto dy muaj? Hapini kutitë ta gjeni arsyen dhe aty është e vërteta që nuk i realizoi standardet në 4 vjet, sepse donte të vidhte votat. Populli i tij i thotë hapi kutitë të shohim votat. ǒështë ky njeri që e sheh si gjëmë po të hapen!? Kjo një gjëmë për ata që e gatuan. Ky është tmerri i tij. Kjo është hija që i del natë për natë. Ai fshihet pas një vendimi gjykate, po ku ka pushtet gjyqësor të pavarur?! Cili është ai ndërkombëtar që thotë se e keni të pavarur sistemin gjyqësor?!” - u shpreh Ngjela.

Gjika: “Berisha t’i kërkojë falje Vlorës për gafën e ministrit të tij me eshtrat e Ismail Qemalit”

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, e hapi fjalën e tij në protestë duke i kërkuar kryeministrit Sali Berisha që t’i kërkojë falje qytetarëve vlonjatë për gafën që bëri ministri i tij i Kulturës me eshtrat e Ismail Qemalit. Gjika theksoi gjithashtu se hapja e kutive të votimit është një e drejtë legjitime. “Sali Berisha të kërkojë ndjesë publike për gafën e ministrit të tij të Kulturës, duke hedhur poshtë kulturën e Vlorës, duke thënë se do të kthejë eshtrat e Ismail Qemalit, që ne kemi mbi 75 vjet që e përkujtojmë. Hapja e kutive është hapja e Shqipërisë me botën e lirë, lëvizja e lirë, për t’i dhënë fund historisë së shëmtuar ku populli voton, qeveria numëron. Të hapen kutitë për të treguar se PS-ja ka të drejtë të kërkojë votat e vjedhura. Maxhoranca e di se çfarë ka brenda kutive”, - tha Gjika.

Toçi: “Kjo qeveri duhet të ikë një orë e më parë”

Deputeti socialist i qarkut të Vlorës tha se qeverisja aktuale duhet të largohet një orë e më parë. “Vlora e ka bërë detyrën e saj: ka fituar në zgjedhje, por Vlorës dhe gjithë shqiptarëve i është vjedhur pushteti, kjo qeverisje duhet të ikë një orë e më parë. Edhe në Vlorë po ndjehen pasojat negative të këtij pushteti, injorimi i projekteve të paraqitura nga Bashkia, përpjekje për të frenuar Bashkinë e Vlorës, tentativa për të frenuar alokimin e fondeve. Vdekja e ngadaltë e Vlorës për shkak të TEC-it, gjiri i Vlorës do të kthehet në një gji të vdekur duke shuar kështu bizneset turistike në këtë qytet. Nga ky shesh historik u bëjmë thirrje Berishës dhe institucioneve që ka në kontroll të hapë kutitë për të parë realisht votën e shqiptarëve”, - tha Toçi.

Ndoka: “PD-së t’i vijë turp që vodhi votat e Partisë Demokristiane”

Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, tha se ka ardhur koha që t’i shkurtohen orët qeverisë, të cilën ai e quajti të papërgjegjshme. Ai u shpreh se PD-ja duhet të ketë turp për vjedhjen e votave që i bëri PDK-së në zgjedhjet e 28 qershorit. “Ka ardhur koha për këtë hapje të kutive, largimi i maxhorancës, heqjen e kësaj maxhorance që po pengon zhvillimin çdo ditë. Sot, më tepër se asnjëherë tjetër, është detyrë e jona t’i shkurtojmë orët kësaj qeverie, që në Orikum nxjerr policinë kundër pronarëve, kacafytet Policia e Shtetit me atë Bashkiake. T’i vijë turp PD-së që vodhi votat PDK-së. Ju e dëgjuat dje kryeministrin që fliste për hapjen e vendit, por që do të bëhet vetëm me largimin e qeverisë”, - u shpreh Ndoka.

Gjinushi: “Më 20 nëntor do të fitojmë betejën për votën e lirë”

“Ne jemi këtu për betejën e votës së lirë. Ne do ta fitojmë këtë betejë së bashku më 20 nëntor në Tiranë. Ju s’keni votuar për Sali Gërdecin më 20 nëntor, nuk votuat që të fitojë korrupsioni, nuk votuat që të rrihen gazetarët, nuk votuat për krizën ekonomike dhe varfërinë, nuk votuat për t’u qeverisur nga ministra të pandehur, si ministri rendit, prandaj do të jemi së bashku në 20 nëntor. Saliu vodhi votën, për të vjedhur me familjen e tij piramidale. E drejta e votës i takon vetëm popullit. Sepse gjykatat nuk janë për të fshehur të vërtetën, por për ta zbuluar atë, jo për të fshehur hajdutët, por për të zbuluar atë. Shqipërisë i duhet një qeverisje legjitime e mbështetur mbi votën tuaj. Ne së bashku do ta shpëtojmë Shqipërinë nga Sali Berisha më 20 nëntor”, - tha kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi.

Veliaj: “Më 20 nëntor do të shkruajmë historinë”

Kryetari i G99-s, Erion Veliaj, tha se opozita dhe qytetarët shqiptarë në datën 20 nëntor do të shkruajnë historinë. “Kutitë duhet të hapen. Pyetja që unë kam: Çfarë vendi do të keni ju në historinë e Shqipërisë? Çfarë vendi do të ketë secili prej jush në historinë e Shqipërisë? Më 20 nëntor ne kemi shans ta shkruajmë historinë tonë. Do të takohemi të gjithë më 20 nëntor. Disa cinikë thonë së protesta më 20 nëntor është e fundit, por unë ju them se kjo protestë është fillimi i fundit të Sali Berishës. Ca njerëz cinikë thonë se bojkoti i opozitës dëmton integrimin, por bojkoti s’ka qenë zgjedhja jonë e parë, por zgjedhja jonë e detyruar. Nëse ka diçka që e ndihmon integrimin e Shqipërisë, është që ne ta vazhdojmë këtë betejë”, - tha Veliaj.

Dokle: “Berisha të tregojë ku i ka futur votat tona”

Deputeti i PS-së, Namik Dokle, u shpreh se teksa 10 vjet më parë Berisha akuzohej se ku i kishte futur paratë e shqiptarëve, sot ai akuzohet se ka vjedhur votat e tyre. “Në vitin 1997 këtu ju thërrisnit: ‘Sali hajduti, paret tona ku i futi?’. Sot, këtu në Vlorë dhe më 20 nëntor në Tiranë, me te gjithë shqiptarët, nga Tropoja në Konispol, do të thërrasim: O Sali, Sali hajduti, votat tona ku i futi? Të gjithë së bashku, më 20 nëntor, duhet të jemi në Tiranë, të pastrojmë Shqipërinë nga maskarallëku. Ne me lumenjtë e Shqipërisë do të pastrojmë hauret e kryeministrit Berisha. T’u japim shqiptarëve votën e lirë dhe të drejtën e integrimit. Të mblidhemi më 20 nëntor në Tiranë dhe të pastrojmë Shqipërinë nga maskarallëku”, - tha Dokle.

Ruçi: “Kauzës sonë po i bashkohen të gjithë”

Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi, tha se kauza e PS-së po përqafohet gjithnjë e më tepër nga aktorë e faktorë të ndryshëm politikë, pasi kjo kauzë i shërben votës së lirë. “Janë arsye më shumë që ne sot këtu na u bashkuan Nard Ndoka, se shpirti demokristian është për liri dhe demokraci, për të vërtetën. Ja pse na është bashkuar Spartak Ngjela, se 15 vjet burg nuk i fali për këtë liri, por për standarde të lira dhe të drejta. Ja pse është kreu i G99-s, se rinia shqiptare nuk u ngrit për këtë demokraci. Kauza për transparencën e votës, për luftën kundër korrupsionit, krimit, është kauza e të gjithë shqiptarëve”, - tha Ruçi.

14 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›