Imami takon Gates: “Askush nuk mbështet bojkotin e Kuvendit”
Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, Arben Imami, është pritur në Pentagon nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates. Takimi ka zgjatur mbi 30 minuta, ku janë biseduar një sërë çështjesh që lidhen me angazhimin e Shqipërisë në Afganistan në kuadër të NATO-s, zhvillimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura, demilitarizimin dhe asgjësimin e municioneve dhe shumë çështje të tjera. Sekretari Robert Gates ka falënderuar ministrin Imami për prezencën e Shqipërisë në Afganistan dhe për kontributin që po jep vendi ynë atje dhe në shumë vende të tjera ku jemi angazhuar. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, menjëherë pas takimit u shpreh për mediat se “Shqipëria është e angazhuar në Afganistan duke iu përgjigjur thirrjes së SHBA-ve dhe Aleancës. Ne jemi angazhuar përgjatë zgjedhjeve në Afganistan me një kompani, e cila do të qëndrojë atje. Po dërgojmë një skuadër mjekësore. Do të rritet numri edhe me disa oficerë që do të shkojnë atje”.
Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, ministri u shpreh edhe për diskutimet që ai ka pasur gjatë kësaj vizite në SHBA për situatën e brendshme politike në vend. Duke iu referuar takimit me zv.asistentin e parë të sekretarit të Shtetit, Stuart Jones, ai tha se: “Për këtë çështje fola dje në Departamentin e Shtetit, ku m’u bë e qartë se askush nuk ka simpati për bojkotin, askush nuk e mbështet bojkotin. Pikërisht tani, kur Shqipëria është në pritje të liberalizimit të vizave dhe marrjes së statutit kandidat për Bashkimin Europian, bojkoti është një praktikë e vjetër dhe jashtë kohe. Nuk shoh asnjë mënyrë tjetër, përpos marrjes pjesë në rrugë institucionale për të kontribuar në procesin integrues të vendit”, - përfundoi ministri i Mbrojtjes, Arben Imami.
14 Nentor 2009