Hipoteka, Kalvari i pritjes, qytetari, prej 7 vitesh, nuk regjistron dot pronën
Laureta Rryçi
Një qytetar kishte plot dy vjet që rrinte jashtë kangjellave të godinës së Hipotekës dhe askush s’kishte begenisur për ta takuar. Pas dy vitesh, një nga zyrtarët e Zyrës Qendrore e takon dhe e pyet se përse pret. Ai i thotë se kishte dy vjet që priste, por s’e ka dëgjuar njeri. Kur zyrtari e fton në zyrë për t’i dëgjuar hallin, qytetari i përgjigjet se tani që ai e priti në zyrë nuk ka rëndësi për ta zgjidhur problemin me pronën. Kështu që qytetari hoqi dorë përgjithmonë nga prona. Ky është paradoksi i qytetarëve shqiptarë që presin për muaj e vite me radhë për të marrë një shërbim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Kjo faktohet më së miri edhe me dhjetëra ankesa që kanë mbërritur në zyrën e Avokatit të Popullit. Për dy prej tyre Dobjani ka përpiluar dhe rekomandime më vete duke i kërkuar masa disiplinore për regjistruesit që kanë abuzuar me detyrën dhe kryerjen e shërbimeve të qytetarëve duke qenë se kërkesa e tyre është brenda normave të ligjit.
Ankesat
Qytetarët ankohen se pavarësish se ligji i ka të përcaktuara afatet sipas shërbimeve, atyre u duhet të presin me vite të tëra për të përfunduar të plotë regjistrimin e pasurive të paluajtshme. Në zyrën e Avokatit të Popullit ankesat më së shumti kanë ardhur për zyrën e Hipotekës së Tiranës. Rastet, të cilat i kemi pasqyruar dhe më poshtë, bëjnë fjalë për një qytetar që prej shtatë vitesh po vuan kalvarin e pritjes në Hipotekë për të regjistruar pronën. Përballë neglizhimit të specialistëve dhe pasi kishte dorëzuar tri herë rresht të njëjtën kërkesë, qytetari ka bërë edhe denoncim në prokurori për abuzim me detyrën ndaj specialistëve të regjistrimit. Së fundi, ai i është drejtuar edhe Avokatit të Popullit duke i kërkuar ndihmën e tij për të vënë në lëvizje Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, si dhe të informohet ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani.
Vonesat
Për të marrë një informacion për shërbimin që ke kërkuar duket se e kanë të vështirë dhe vetë drejtuesit e këtij institucioni. Të paktën kështu shkruhet në një nga përgjigjet që kryeregjistruesi ka bërë për Avokatin e Popullit. Sipas tij, gjashtë ditë janë të pamjaftueshme për të marrë një informacion për një dosje të veçantë, edhe pse ky qytetarë ka shtatë vite që pret të regjistrojë pronën e tij. Megjithatë, Dobjani në rekomandimin zyrtar i ka kujtuar se kryeregjistruesi duhet të marrë penalizime ndaj këtyre vartësve që abuzojnë me detyrën si dhe i kujton të marrë masa të menjëhershme për rastet konkrete.
Ankesa e parë
Qytetari që në vitin 2002 ende nuk ka mundur të regjistrojë pronën
Sipas Avokatit të Popullit, shtetasi nga Tirana, Fiqiri Kazani, ka dashur të regjistrojë pronën në emrin e tij që në vitin 2002. Mirëpo zyra e Hipotekës së Tiranës, edhe pse kanë kaluar plot 7 vite nga ajo ditë, ende nuk e ka kryer këtë shërbim ndaj këtij qytetari. Në rekomandimin e Dobjanit thuhet se shkelja e afateve ligjore prej ZVRPP Tiranë, në përmbushjen e aplikimit të vitit 2002, të kryer prej ankuesit, ka detyruar atë të kryejë kallëzim pranë organit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Organi i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me shkresën Nr.3259/2, datë 31.07.2008, i ka komunikuar ankuesit Fiqiri Kazani, vendimin datë 09.07.2008, për “Mosfillimin e procedimit penal të kallëzimit nr.3250, viti 2008”. Në pjesën arsyetuese të vendimit datë 09.07.2009, konstatohet se organi i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka evidentuar faktin e kryerjes së aplikimit prej ankuesit Fiqiri Kazani në vitin 2002, për pajisjen me dokument pronësie mbi banesën e tij, si dhe ka evidentuar faktin tjetër në pjesën arsyetuese të vendimit datë 09.07.2008 se “nga administrimi pranë arkivës së ZVRPP Tiranë të praktikës së regjistrimit të pronës me nr. 126, viti 1963, rezulton se, ekzistojnë dokumentet që provojnë pronësinë e pretenduar, si nota e transkriptimit lëshuar nga Gjykata Popullore Tiranë me nr. 1256/56, datë 26.07.1963 për kallëzuesin dhe të gjithë trashëgimtarët e Muharrem Kazanit, kundër Osman Kazanit për objektin e përbërë prej një dhome, një kuzhinë e dëmtuar, një sallon e aksesorë, oborri afërsisht 6x8 metra në rrugën “Fadil Rada”, nr. 10 Tiranë dhe kontrata e pjesëtimit të pasurisë me nr. 22661 rep, 11459 kal, datë 26.07.1963 midis Osman Kazanit dhe trashëgimtarëve të Muharrem Kazanit”. Sipas pretendimeve të ankuesit, rezulton se ai ka dorëzuar tri herë në sportelet e ZVRPP Tiranë, aktet e kërkuara në mënyrë abuzive për trajtimin dhe regjistrimin e banesës së tij. Në fund Avokati i Popullit shkruan: “Për sa më sipër qëndrimi i derisotëm i mbajtur prej ZVRPP Tiranë si dhe ZQRPP Tiranë janë në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, të cilat përcaktojnë detyrimin dhe procedurat për lëshimin e akteve të pronësisë të kërkuar nga ankuesi sipas aplikimit të kryer prej tij në vitin 2002”.
Ankesa e dytë
Vonesa për të marrë informacion edhe vetë kryeregjistruesi
Për këtë ankesë, Avokati i Popullit ka vënë në dijeni jo vetëm kryeregjistruesin ku i kërkon të marrë masa të menjëhershme, por edhe ministrin e Drejtësisë, Bujar Nishani, duke e njohur kështu me situatën e krijuar. Çështja duket se është më e vështirë se sa mendohej, pasi në përgjigjen e parë që Dobjani ka marrë nga kryeregjistruesi ka mësuar se ai brenda gjashtë ditësh nuk kishte mundur të merrte informacionin e duhur në lidhje me këtë ankesë. Kështu, kryeregjistruesit i duhej më shumë kohë për t’u njohur se sa realisht ekzistonin pretendimet e qytetarit që është ankuar të Avokati i Popullit. Në rekomandim thuhet se konkretisht, pranë Institucionit të Avokatit të Popullit ka paraqitur ankesë shtetasi Bastri Malaj, me të cilën ngre shqetësimin e tij për mostrajtimin e aplikimit të kryer nga ana e tij më datë 08.09.2008, për ndarjen e pasurisë tokë me sipërfaqe 3000 m2, ZK2704, e regjistruar me numër 546/2, Vol 8, faqe 205 në pronësi të tij. Sipas Dobjanit, shkelja e afateve ligjore në përmbushjen e aplikimit datë 08.09.2008, ngritja e pretendimeve abuzive në trajtimin e këtij aplikimi, prej ZVRPP Tiranë, ka detyruar atë të kryejë prezantimin e shqetësimit pranë Institucionit të Avokatit të Popullit. Konstatohet se, kryerja e detyrës, në mënyrë të parregullt, abuzimi me të drejtën e përfitimit të shërbimit në afatin ligjor të përcaktuar në aktet ligjore dhe nënligjore, janë evidente në qëndrimin e ZVRPP, Tiranë, ndaj aplikimit datë 08.09.2008 të shtetasit Bastri Malaj.
14 Nentor 2009