Protesta e 20 nëntorit, opozita do të vendoset me çadra përpara Kryeministrisë
Shaban Sulçe
Partia Socialiste, partitë e majta dhe të djathta kanë njoftuar prej të paktën një muaji zhvillimin e një proteste madhështore, ku do të kërkojnë hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit dhe hapjen e kutive të votimit. Opozita ka paralajmëruar se kjo protestë do të zhvillohet në sheshin “Skënderbej”, megjithatë, mësohet se ky shesh do të jetë vetëm vendi nga do të nisë protesta. Organizatorët duket se kanë planifikuar që pas kësaj, protesta të zhvendoset drejt Kryeministrisë, përpara zyrës së kryeministrit, ndaj të cilit është drejtuar prej kohësh kërkesa për hapjen e kutive të votimit. Mësohet gjithashtu se është hedhur ideja e kohëzgjatjes së protestës, pra që ajo të mos përfundojë brenda 20 nëntorit, por të zgjasë edhe më tej. Për këtë, flitet se protestuesit opozitarë do të vendosen në çadra të posaçme, ku ata do të vijojnë protestën e tyre.
Simbolika
Krerët e opozitës, Rama dhe Ngjela, e kanë quajtur shumë të rëndësishme protestën e 20 nëntorit. Sipas tyre, në këtë datë do të garantohet dhe do të mundësohet hapja e kutive të votimit. Protesta e madhe u paralajmërua një muaj e gjysmë më parë dhe zgjedhja e datës 20 nëntor është e lidhur me një simbolikë të veçantë. Ajo ka lidhje me Revolucionin Portokalli” që u zhvillua disa vjet më parë në Ukrainë. Në vjeshtën e vitit 2004, opozita ukrainase, e kryesuar nga Jushçenko, arriti të përmbysë qeverinë e atëhershme me anë të protestave, pasi kontestonte manipulimet e ndodhura në zgjedhje. Duket se opozitarët do të përpiqen të arrijnë të njëjtin qëllim.
Në deklaratat e tyre ata janë shprehur se në datën 20 nëntor do të arrihet që të hapen kutitë e votimit dhe të përmbyset qeveria aktuale.
Pjesëmarrësit
Partia Demokristiane ka konfirmuar dje mbështetjen dhe pjesëmarrjen në protestën e 20 nëntorit. Ky vendim ka ardhur pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, e cila ka theksuar se aksioni politik për votën e lirë është jetik për demokracinë në Shqipëri. Pas PDK-së, partitë e djathta opozitare, të cilat do të marrin pjesë në protestën e 20 nëntorit, do të jetë Partia Ligj për Drejtësi e Spartak Ngjelës dhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, e drejtuar nga Dashamir Shehi. Ndërkaq, në kampin e majtë, përveç Partisë Socialiste, partitë e tjera pjesëmarrëse do të jenë Partia Social Demokrate e Skënder Gjinushit, Partia Demokracia Sociale e Paskal Milos, G99-a e Erion Veliajt, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut si dhe 3 ish-anëtarët e Kryesisë së LSI-së, Xhufi, Legisi dhe Muçi.
14 Nentor 2009