E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pinari, Minxholli dhe Delijorgji kërkojnë gjykim të shkurtuar

13/11/2009  Tre të akuzuarit për “vrasje masive” tentojnë t’i shpëtojnë burgut përjetë

TIRANË- Për gati gjashtë orë rresht ka vazhduar dje seanca gjyqësore kundër 29 të pandehurve, që akuzohen për tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec. Duket se seanca do të ketë një tjetër pamje, kjo në rast se pas dy javësh gjykata do të shprehet për kërkesat e tre të pandehurve kryesorë. Ndërkohë gjenerali Luan Hoxha kërkoi kohë për të bërë kërkesat. Pothuaj dje të gjithë të pandehurit kërkuan nga gjykata materialet të shkruara dhe të grumbulluara në dosje, duke mos pranuar të marrin CD, me pretendimin se në burg nuk kanë kushte për të bërë leximin e tyre. Në fillim të seancës, i pandehuri Ndue Marku, kërkoi shtyrjen e gjyqit, pasi avokati i tij, Bujar Himçi, ndodhej në Gjykatën e Lartë. Prokuroria, në lidhje me këtë kërkesë, tha se avokati nuk ka sjellë asnjë kërkesë apo justifikim dhe ai duhet të zëvendësohet. Ridvan Hado zëvendësoi avokatin Himçi me avokaten Denada Selmani. Avokati Vladimir Bineri tha para gjykatës së Tiranës se klienti i tij e ka autorizuar që të vazhdojnë me gjykim të shkurtuar. Avokati tha se Pinari pranon çdo akt në dosje dhe dëshiron të vazhdojë shkurtimisht. Ndërkohë menjëherë pas tij ishte avokati Maks Haxhia që mbron interesat e të pandehurit Mihal Delijorgji tha se klienti i tij ka pranuar të mbrohet me aktet që ka në dosje dhe kërkon gjykim të shkurtuar. Gjithashtu ka kërkuar që Delijorgjit t’i vihet në dispozicion lista e dëshmitarëve që ka kërkuar organi i Prokurorisë në gjykatë, pasi në ambientet e burgut nuk ka kushte. Edhe avokati i Dritan Minxhollit ka kërkuar, duke u bazuar në nenin 403 të Kodit të Procedurës Penale, gjykim të shkurtuar. Edhe Minxholli nuk kishte kushte për të parë listën e dëshmitarëve që ka kërkuar organi i Prokurorisë për këtë proces. Sokol Gjeçi është personi i vetëm i arrestuar që ndodhej në seancën e djeshme gjyqësore. Avokati i tij tha se shpreh keqardhjen për ngjarjen e rëndë të Gërdecit që preku dhjetëra persona të pafajshëm në disa fshatra, duke shkaktuar miliarda lekë dëme. Megjithatë, avokati vazhdoi se krahas viktimave të tragjedisë, drejtësia nuk duhet të krijojë viktima të tjera, të cilat i emërtoi si “viktima të drejtësisë”. Më pas tha se akuzat e ngritura nga Prokuroria për klientin e tij janë të pavërteta. Gjeçi ka qenë me detyrë në kompaninë e shitblerjeve të armëve MEICO me detyrën e specialistit të marketingut. Ai ka pasur urdhër që të evidentojë municionet në Gërdec dhe ka vepruar në përputhje me urdhrat e Këshillit të Ministrave dhe me urdhrin numër 550 të ministrit të Mbrojtjes. Avokati tha se paga neto e klientit të tij ka qenë 30 mijë lekë në muaj dhe nuk kishe të drejtë të merrte dhe të largonte njerëzit nga puna. Gjeçi, sipas kërkesës së lexuar para Prokurorisë, ka zbatuar urdhrat dhe ai nuk mund të implikohet për veprat penale.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›