E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëhelmohet babai i viktimës së Gërdecit

13/11/2009  Kujtim Osmani ishte pushuar nga puna

TIRANË- Babai i një viktime të Gërdecit i ka dhënë fund jetës, duke u vetëhelmuar. Lajmi mësohet nga burime të policisë së Tiranës, të cilat thanë se ende nuk është verifikuar shkaku i këtij vetëhelmimi, teksa motivet e papunësisë dyshohet të kenë ndikuar tek 43-vjeçari që vendosi t’i jepte fund jetës. Të afërmit kanë gjetur dje pasdite rreth orës 18.00, trupin e pajetë të Kujtim Osmanit, 43 vjeç, nga komuna e Vorës. Ai ishte pastrues në këtë komunë, por vetëm para pak ditësh u pushua nga puna. Që prej asaj kohe, Osmani kishte shfaqur shenja paqëndrueshmërie, për të mbërriture në ditën e djeshme, kur u vetëhelmua. Familjarët gjetën pranë trupit të tij të pajetë një gotë me alkool dhe disa ilaçe që kishin mbetur nga helmi që Osmani kishte përgatitur për t’i dhënë fund jetës. Kujtim Osmani ishte babai i Resmie Osmanit, e cila ishte një ndër 26 viktimat e tragjedisë së Gërdecit. Humbjes të së bijës iu shtua edhe largimi nga vendi i punës, shkak ky që dyshohet se i ka përshkallëzuar depresionin 43-vjeçarit. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të policisë, të cilat po kryejnë verifikimet rreth kësaj ngjarjeje që deri më tani ka rezultuar vetëhelmim.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›