E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grevistët e Gërdecit përfundojnë në spital

TIRANE - Ndërsa kanë hyrë në ditën e nëntë të grevës, shtatë ish-punëtorët e fabrikës së Gërdecit kanë përfunduar në spital, pasi gjendja e tyre shëndetësore paraqitet tejet e rënduar. 

Kështu, në orët e pasdites së djeshme shtatë grevistët janë dërguar me urgjencë në spital për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa burime spitalore pohuan dje për mediat se, tre prej grevistëve të cilët ndodhen në repartin e infektivit janë në gjendje tepër kritike për jetën dhe bluzat e bardha po ndihmojnë në kapërcimin e situatës. Mjekët pohojnë se shëndeti i grevistëve po shkon drejt përkeqësimit, ndërkohë që si pasojë e mosmarrjes së ushqimeve ata po humbin aftësi fizike dhe po të vazhdohet në këtë gjendje mund të kenë pasoja të rënda shëndetësore. Ndërsa grevistët kanë pohuar se, nuk heqin dorë nga greva deri në vetëflijim. Shtatë ish-punëtorët e Gërdecit kanë hyrë qysh nëntë ditë më parë në grevën e urisë në shenjë proteste ndaj qeverisë. Kërkesat e punëtorëve të ish-fabrikës së demontimit “Albdemil”, në Gërdec shpërthimi i së cilës shkaktoi 26 të vdekur, 300 të plagosur dhe qindra banesa të dëmtuara, janë: 400 mijë lekë dëmshpërblim, lidhje pensioni për familjet e punëtorëve të vrarë, dhënia e 150 000 mijë lekëve si dëmshpërblim për të plagosurit e shpërthimit dhe një vit asistencë. Ndërkohë, ditën e djeshme një numër i madh ish-punëtorësh të fabrikës së Gërdecit kanë protestuar përpara Kryeministrisë në mbështetje të kolegëve të tyre grevistë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›