E Diel, 1 Nëntor 2026

Prej gjashtë vitesh, asnjë ndihmë konkrete nga pushtetarët

Prej gjashtë vitesh, shtatë familje beratase jetojnë çdo ditë nën tmerrin se shtëpitë e tyre mund të shndërrohen në gërmadha. Në fund të vitit 2004, pesë banesa njëkatëshe private të lagjes “28 Nëntori”, rreth 300 metra larg qendrës së qytetit të Beratit, u shkëputën në mënyrë të frikshme së bashku me dheun e themeleve të tyre dhe pësuan dëmtime të pariparueshme. Janë banesat e familjeve Kalaj, Nazëri, Lamaj, Paja dhe Xhaxhaj, të ndërtuara 10-15 vjetët e fundit, të cilat u dëmtuan rëndë, si pasojë e rrëshqitjes së tokës nga shirat e shumtë të atij fundviti. Ndonëse banesat u shpallën të pabanueshme, qysh nga ajo kohë askush nuk u kujtua për t’u dhënë ndihmë këtyre familjeve fatkeqe. Kryefamiljarët na tregojnë se këto shtëpi private kanë pësuar dy shembje në kohë të ndryshme, njëra në ditët e fundit të vitit 2004 dhe tjetra në prill të vitit 2005. Ata tregojnë se pas kësaj katastrofe kanë shkuar të gjithë së bashku në bashkinë e qytetit, ku kanë treguar ngjarjen dhe janë lutur për ndihmë.
Pushtetarët lokalë kanë ngritur grupin e ekspertëve dhe pasi kanë bërë verifikimin e gjendjes në vend, i kanë propozuat këshillit bashkiak miratimin e një fondi simbolik për rikonstruksionin e tyre të pjesshëm. Por, ky propozim nuk mori miratimin e prefektit të qarkut, për shkak se rrëshqitja e dheut ishte në avancim të dukshme, çka e bënte të kotë riparimin e tyre. Më pas, me ndërhyrjen e specialistëve të prefektit të qarkut, u kërkua ndihma e ekspertëve të institutit sizmologjik, për studimin e plotë të kësaj zone të banuar. Këta të fundit arritën në përfundimin se banesat e dëmtuara janë të pabanueshme dhe familjet që jetonin në to duhet të evakuoheshin menjëherë me ndihmën e bashkisë.
Ndërkaq burime pranë prefektit të Qarkut të Berat, shpjegojnë se shpresat për një zgjidhje të pjesshme dhe të shpejtë janë ofruar. Në mbledhjen fundit të Këshillit të Bashkisë së Beratit, për shtatë familjet fatkeqe të lagjes “28 Nëntori” janë vendosur dy alternative: ose ata të regjistrohen në listat e të pastrehëve, ku përfitojnë sipas ligjit banesa të tjera nga Enti Kombëtar i Banesave, ose të ndihmohen për vetëndërtimin e banesave të reja, në një tjetër zonë të qytetit, duke përfituar kredi të buta. Në të dyja rastet shpjegojnë specialistë të bashkisë, ata përfitojnë deri 40% të vlerës së shtëpive të shembura. Por, pronarët e këtyre banesave private, ende nuk kanë besim se do të përfitojnë ndihmën e shtetit të tyre ndonjë ditë. Ata vazhdojnë të trokasin çdo ditë në dyert e godinave të pushtetit lokal dhe në mbrëmje shkojnë të fusin kokën sërish në shtëpitë e tyre që çdo ditë i ngjasojnë gërmadhave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›