Ndëshkimet do të prekin edhe drejtuesit e filialit
Dhjetë faturistë të energjisë elektrike në Fier kanë humbur vendin e punës, për shkak të abuzimeve që kanë kryer me faturat. Mësohet se faturistët u kanë hedhur abonentëve familjarë e privatë më shumë energji elektrike nga sa kanë treguar sahatet matës të tyre. Burime zyrtare të filialit të OSSH-së në Fier pohojnë për gazetën “Shqip” se rrezja e ndëshkimeve do të zgjerohet edhe te faturistët e tjerë, si dhe do të arrijë deri në kastën e lartë drejtuese të degës së faturimit dhe të shitjes.
Ankesat e shumë abonentëve pranë filialit të OSSH-së së Fierit lidhur me faturimet afrofe, prej muajsh nuk kishin gjetur zgjidhje. Kjo ka bërë që disa nga abonentët e Fierit t’i drejtohen Drejtorisë së Përgjithshme të OSSH-së, madje edhe institucionit të Avokatit të Popullit. Pas këtyre ankesave, në drejtim të filialit të Fierit ka mbërritur pak ditë më parë një grup ekspertësh. Ka qenë urdhri i Drejtorisë së Tiranës ai që ka detyruar ekspertët që të verifikojnë çdo rast ankese. Në mbi 50 raste verifikimi gjatë javës që sapo u mbyll janë konstatuar edhe shkeljet. Menjëherë pas verifikimeve, grupi i Tiranës ka vendosur shkarkimin e faturistëve, në zonat e të cilëve u gjetën faturime abuzive. Ndërsa mësohet se ky numër do të pasohet edhe me faturistë të tjerë, pasi burime nga OSSH-ja e Fierit pohojnë për gazetën se janë në përfundim të relacioneve mbi 24 raste faturistësh të tjerë. Largimi nga puna nuk do të jetë ndëshkimi i vetëm për faturistët abuzues. Ata do të ndiqen edhe penalisht për “shpërdorim detyre”.