Ekstradohet nga Londra i kërkuari për vrasje
Një 41-vjeçar është ekstraduar nga Londra pasi ishte shpallur në kërkim për vrasje. Riza Vatoci, vjeç 41, lindur në Tropojë ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, e ka dënuar me 15 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të "Vrasjes me paramendim, e mbetur në tentativë".
Ngjarja për të cilën i ekstraduari Riza Vatoci është deklaruar fajtor, ka ndodhur më 05 nëntor 1996, në vendin e quajtur "Ura e madhe" të qytetit të Krujës, ku ky shtetas ka qëlluar me armë zjarri shtetasin Përparim Gjonaj për motive gjakmarrje.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Londrën, u bë i mundur arrestimi në Mbretërinë e Bashkuar i shtetasit Riza Vatoci, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.
Në aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas 41-vjeçari i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.