E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradohet nga Milano i dënuari me 12 vjet burg

TIRANË- Ekstradohet i dënuari me 12 vite burg, që në bashkëpunim me gruan dhe të motrën trafikuan dhe shfrytëzuan si prositutë një femër me inicialet E. A, në Itali. Kastriot Frashëri, 41 vjeç, nga qyteti i Beratit, është ekstraduar nga Milano në drejtim të vendit tonë pasi është shpallur fajtor për shfrytëzimin e një femre për prostitucion, bashkëpunim me të shoqen dhe të motrën në rrethana rënduese. Frashëri ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana pas vendimit të dhënë ndaj tij nga Gjykata e Lushnjes. Sipas burimeve zyrtare të Policisë, Kastriot Frashëri në vitin 2009, në bashkëpunim me gruan dhe motrën e tij, kanë detyruar me anë të forcës, shtetasen me inicialet E. A. të ushtrojë prostitucion në Itali.

Për këtë vepër penale, kryer dhjetë vjet më parë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnje në vitin 2004 ka shpallur fajtor Frashërin për "shfrytëzim prostitucioni" dhe e ka dënuar me 12 vjet heqje lirie. Në kohën kur është dënuar nga Gjykata e Lushnjes, Frashëri nuk ndodhej në Shqipëri, duke u dënuar në mungesë, ndërsa u shpall në kërkim ndërkombëtar. Ky i fundit ishte larguar në Itali, duke iu fshehur Policisë shqiptare, duke qëndruar për shumë vite në shtetin fqinj. Pas lëshimit të urdhrit ndërkombëtar të arrestit, 41- vjeçari Frashëri është arrestuar në Itali me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Bashkëpunimi i Interpol-Tiranës me Interpol-Romën ka bërë të mundur arrestimin dhe ekstradimin e të kërkuarit për prostitucion.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›