I vdes bashkëshorti, vetëhelmohet nëna e dy fëmijëve
Anila D. ka ndërruar jetë pasi është kthyer nga varrezat, ku ishte bashkë me njerëzit e burrit të vdekur
DURRËS - Nuk kishte shumë kohë që bashkëshorti i saj kishte humbur jetën në një aksident në punë dhe e kishte lënë të vetme me dy fëmijë. Një gjë e tillë ka bërë që 27-vjeçarja të vendosë t'i japë fund jetës së saj duke u vetëhelmuar. Anila D. nga Shijaku ka ndërruar jetë mesditën e së hënës për shkak të sasisë së helmit të konsumuar. Gruaja e re ka qënduar nën vëzhgimin e mjekëve, por ata nuk kanë mundur ta shpëtojnë, ashtu siç kishte ndodhur edhe më parë. Trishtimi për gjendjen e vet dhe vuajtja e humbjes së bashkëshortit duket se ka qenë shkaku që e ka çuar 27-vjeçaren, nënë të dy fëmijëve drejt vetëvrasjes.
Mesditën e së dielës, Anila D. dhe të afërmit e burrit të saj të vdekur prej disa muajsh kanë shkuar në varrezat e Shijakut, ku prehej ai. Ky i fundit kishte vdekur në punë për shkak të kontaktit me energjinë elektrike. Pas kthimit në shtëpi, në kushtet e tronditjes së thellë psikike, duket se 27-vjeçarja ka vendosur t'i japë fund jetës së saj. Ajo ka pirë një sasi helmi duke kaluar në koma brenda një kohe të shkurtër. Megjithëse është dërguar në spital, gruaja nuk ka mundur të shpëtojë, duke ndërruar jetë rreth orës 13:00 të së hënës. Nga ana e policisë bëhet e ditur se gruaja kishte tentuar vetëhelmimin edhe më parë, por është arritur që të shpëtohet, edhe pasi është dërguar me urgjencë në spital. Burimet nga blutë shprehen se gjatë këqyrjes së kufomës, në trupin e 27-vjeçares nuk janë parë shenja dhune.