Zjarr në Peqin e Belësh, dëmet minimale
ELBASAN - Dje ekipet zjarrfikëse në Peqin e Belësh kanë mundur të vënë nën kontroll dy vatra zjarri. Mësohet se zjarri fillimisht është shfaqur në një pemëtore në afërsi të linjës hekurudhore në Peqin. Ndërhyrja e menjëhershme e zjarrfikësve ka bërë që zjarri të fiket shpejt dhe dëmet të jenë minimale. Por ajo që ka vënë në punë agjentët e policisë ka qenë arsyeja e rënies. Sipas banorëve, zjarri mendohet të jetë i qëllimshëm pasi temperaturat nuk janë aq të larta sa të krijohet vetë mundësia e rënies dhe ata përjashtojnë mundësinë e pakujdesisë.
Ndërkohë, një orë më pas në Belësh në një sipërfaqe me ullinj është shfaqur një tjetër vatër zjarri. Sipas të dhënave nga ana e shërbimit zjarrfikës edhe këtu kontrolli ka ardhur shpejt dhe numërohen vetëm pak rrënjë ullinj të dëmtuar pjesërisht. Brenda katër ditëve në Elbasan janë regjistruar 4 vatra zjarri, por fatmirësisht dëmet kanë qenë minimale.