Pukë, dy vatra zjarri brenda 24 orëve
PUKË - Dy vatra zjarri të shfaqura njëherësh mbrëmjen e së dielës në rrethin e Pukës morën përmasa të mëdha në një hark kohor krejt të shkurtër duke krijuar një situatë të pazakontë. Vatra e parë u shfaq në sipërfaqet pyjore në afërsi të fshatrave Trun e Xath të Komunës së Blerimit. Për të shuar vatrat e zjarrit janë mobilizuar punonjësit e Shërbimit Pyjor në mënyrë që të vinin flakët nën kontroll për shkak dhe të rrezikut që i kanosej banesave. Megjithatë është dashur të kalonte mesnata që zjarri të vihej nën kontroll, pasi erërat e forta i kanë stimuluar flakët, të cilat kanë shkaktuar djegien e rreth 5 hektarë pyje në komunën e Blerimit, kryesisht pyje dhe kullota. Shqetësuese kanë qenë sipërfaqet me pyje e pisha buzë rrugës nacionale, vetëm 5 kilometër pa mbërritur në qytetin e Pukës.
Në këtë rast, ndryshe nga ai i pari, ku dyshohet që zjarri të jetë i qëllimshëm, shkak për përfshirjen në flakë të rreth 7 hektarëve ka qenë vendgrumbullimi i mbeturinave të qytetit të Pukës. Flakët morën përmasa me shpejtësi si pasojë e terrenit dhe erës. Fillimisht ndërhyrja e mjeteve zjarrfikëse ka qenë e pamundur për shkak të terrenit të vështirë, por efektivët e këtij reparti kanë mundur të hyjnë në disa rrugëkalime të vështira duke u munduar të vinin flakët nën kontroll, edhe pse një gjë e tillë ka qenë totalisht e pamundur për shkak dhe të sipërfaqes së madhe të përfshirë nga zjarri. Megjithatë, gjithçka është stabilizuar falë përpjekjeve të forcave të angazhuara, si dhe nga reshjet e shiut të rëna gjatë natës.