E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjedh letrat me vlerë në shtëpinë ku punonte


ELBASAN - Punonte për riparimin e shtëpisë, i vjedh letra me vlerë 18 milionë. Ngjarja e pazakontë ka ndodhur në qendër të qytetit të Elbasanit, në lagjen "Kala", ku një punëtor ndihmës ka përfituar nga mungesa e vëmendjes së familjarëve duke vjedhur nga komodina letra me vlerë dhe një aparat fotografik. Burime nga policia bënë të ditur se të dielën rreth orës 20:00 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Fatmir Rrapush Musta, lindur e banues në fshatin Shtëpanjë. 22-vjeçari akuzohet se në datën 22 gusht ka vjedhur në banesën e shtetasit Reshit Skilja me banim në lagjen "Kala". 67-vjeçari e ka konstatuar vjedhjen pas largimit të ustait. Ai ka kryer kallëzim penal në polici. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor i cili pasi ka marrë dëshmitë dhe të dhëna të tjera nga pronari, ka arritur në përfundimin se letrat me vlerë janë grabitur nga Fatmir Musta, i cili atë ditë ka qenë duke riparuar banesën e Reshit Skiles. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 22-vjeçarit policia ka gjetur një aparat fotografik, i cili është konfiskuar në cilësinë e provës materiale.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›