Ekstradohet nga Roma i dënuari për trafik prostitucioni
Tiranë – I ka shpëtuar për tetë vjet me radhë prangave policore, duke u fshehur në Itali, por dje u ekstradua prej andej për të vuajtur dënimin në burgjet shqiptare. Një 32-vjeçari do t’i duhet të kalojë plot 17 vjet në qeli, sepse rezulton i dënuar për trafik të femrave për prostitucion.
Ekstradimi
Zyra e Interpolit shqiptar ka mundësuar kryerjen e ekstradimit nga Roma drejt Tiranës të 32-vjeçarit Ardian Çukaj, lindur në Pukë dhe banues në Durrës. Sipas të dhënave policore, Gjykata për Krimet e Rënda në Tiranë, e ka dënuar para 4 vitesh me 17 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të femrave për prostitucion”, parashikuar nga neni 114 i Kodit Penal. Në shtator 2001, Ardian Çukaj, në bashkëpunim me Haxhi Aliajn, me anë të mashtrimit kanë dërguar në Itali F. A., me qëllim për ta shfrytëzuar këtë të fundit për prostitucion. Si rezultat i bashkëpunimit të “Interpol Tirana” me “Interpol Roma” në vitin e kaluar u bë i mundur arrestimi i tij me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.
Raste
Ky është rasti i gjatë i ekstradimit në dy muaj që kryen Interpol Tirana nga muaji gushte e deri më tani. Më i fundit është ekstradimi nga Italia i anëtarit të bandës së Durrësit Kristjan Begu. Ekstradimi i 33-vjeçarit, u bë pasi ishte i kërkuar nga drejtësia shqiptare për vrasje në bashkëpunim të mbetur në tentativë. Gjykata e Krimeve të Rënda, ka marrë vendimin arrest me burg për Begun. Sipas burimeve të policisë Kristjan Begu konsiderohet si mik i Klodian Saliut e Indrit Dokles dhe si pjesëtar i bandave të Durrësit. Begu së bashku me Indrit Doklen kanë synuar të asgjësojnë fizikisht Lulëzim Berishën, të dyshuar si autor i vrasjes së Klodjan Saliut. Ata janë pikasur nga uniformat blu ndërsa udhëtonin me makinë të armatosur. Në kohën që janë zbuluar nga policia, Begu dhe Dokle kanë braktisur makinën dhe janë larguar me shpejtësi duke lënë armët në makinë.
Të tjera ekstradime janë ato të katër personave shumë të kërkuar nga Zvicra, Gjermania, Italia dhe SHBA.
12 Shtator 2009