Tiranë, procedohen 1500 shoferë, shkelën Kodin Rrugor
Vazhdojnë për të katërtën ditë aksionet e policisë për të ndëshkuar drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor. Madje ditën e djeshme kur policia ishte e vendosur në çdo cep të rrugëve në Tiranë ka gjobitur jo pak por 1510 shoferë të cilët kanë shkelur Kodin Rrugor. “Shërbimet e Policisë së Tiranës nën drejtimin e drejtuesve të Policisë së Tiranës, po vazhdojnë me intensitet punën për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor, me qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve rrugore. Në këtë kuadër, kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj. Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen për parkimet e gabuara, kryesisht parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës”, - deklaroi Policia e Tiranës. Por pavarësisht deklaratave të policisë së kryeqytetit, vjelja e gjobave jo vetëm që nuk është ulur por është rritur ndjeshëm. Kështu nga 900 gjoba që u volën dy ditë më parë ditën e djeshme janë vjelë më shumë se 1500 gjoba. Sipas policisë janë bllokuar 446 mjete, janë vendosur 605 gjoba qyteti me vlerë 800 000 lekë, 300 gjoba linja me vlere 186 920 leke. “Policia e Tiranës, sheh si domosdoshmëri mirëkuptimin dhe mbështetjen e opinionit publik duke ftuar të gjithë përdoruesit e rrugës, në ndërgjegjësimin për të zbatuar me korrektësi normat e sjelljes gjatë drejtimit të mjetit dhe rregullat e legjislacionit rrugor, të përcaktuar në Kodin Rrugor”, - përfundoi deklaratën e saj Policia e Tiranës.
Laç
Zjarr pranë pishave, rrezikohet kisha e Shënandout
Gjuhët e flakëve përfshinë dje rajonin e Lezhës, duke rrezikuar edhe kishën e Shënandout. Ngjarja ka ndodhur në pjesën e sipërme të qytetit të Laçit, tek pishat që ndodhen jo larg kishës së Shënandout. Zjarri ka nisur në orët e mesditës dhe për shuarjen e tij, fillimisht janë afruar banorët e zonës, në përpjekje për të mbajtur flakët nën kontroll. Pak minuta më vonë, disa makina të repartit për Mbrojtjen kundër Zjarrit shkuan në vendngjarje. Burime pranë tyre thanë se rreth orës 16:30 është arritur të vihen flakët nën kontroll duke u lokalizuar dhe më tej shuar plotësisht, pa arritur të afrohen te kisha ku kryhet shpesh “pelegrinazh” nga shumë shqiptarë. Burime nga vendi i ngjarjes raportojnë se nuk ka të lënduar. Ky është i dyti zjarr në Qarkun e Lezhës, pas atij në një fshat fare pranë qytetit të Rrëshenit.
Përrenjas
Kapen 4 klandestinë afganë në një kamion
4 klandestinë afganë janë zbuluar gjatë një kontrolli në tre kamionë me targa turke që udhëtonin nga Kapshtica në drejtim të Durrësit. Policia ka bërë të ditur se klandestinët vinin nga Greqia ndërsa kishin si destinacion shtetin italian. Ndërkohë, është shoqëruar në polici një shtetas turk, shofer i kamionit ku u zbuluan klandestinët. Gjatë operacionit të mbrëmjes së sotme ka qenë i pranishëm edhe kreu i policisë Ahmet Prençi. Burime zyrtare nga policia theksojnë se operacioni ka qenë i mirorganizuar, ç’ka ka bërë të mundur edhe finalizimin e suksesshëm të tij. Kontrolli i mjeteve është bërë në afërsi të Përrenjasit, ndërsa klandestinët, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, kanë qenë të fshehur pas mallrave që transportonin kamionët.
Durrës
Vdes nga ovërdoza një 25-vjeçar
Një 25-vjeçar nga Durrësit dyshohet se vdiq nga ovërdoza. Fajton Katrelli, 25 vjeç, banues në lagjen numër 9 të qytetit bregdetar është gjetur i pa jetë nga një kalimtar pak pas mesnatës duke u gdhirë e premte. Ai u gjet në një lulishte në një lagje të Durrësit, dhe kalimtari që konstatoi trupin e 25-vjeçarit lajmëroi menjëherë policinë. Oficerët e policisë kriminale të komisariatit të qytetit Durrësit mbërritën menjëherë për të bërë këqyrjen e provave. Burime nga policia thanë se pranë trupit të 25-vjeçarit u gjet një shiringë e cila hodhi dyshimet se ai ishte droguar para se të ndërronte jetë. Kështu dëshmitë e familjarëve të viktimës por edhe ekspertiza e mjekësisë-ligjore zbuluan se i riu drogohej sistematikisht gjë e cila i ka shkaktuar atij vdekjen.
Pukë
I sëmuri mendor kërcënon me armë një familje
Një familje në fshatin Burgjon të Pukës ka rënë pre e kërcënimit nga një i sëmurë mendor. I sëmuri i armatosur ka detyruar familjen e Ndue Pjetrit të qëndrojë e mbyllur në shtëpi për rreth 4 orë duke i kërcënuar me armë se do ti vriste në rast se nuk i bindeshin urdhrave të tij. Mësohet se policia ka rrethuar zonën ndërsa ka bërë të mundur edhe arrestimin e Tom Nikollit. I sëmuri ka pranuar të negociojë me kryeplakun e fshatit, ç’ka ka ndihmuar blutë të finalizojnë aksionin për arrestimin e tij. Banorët e zonës thonë se Nikolli, baba i 2 fëmijëve, është person problematik në fshat dhe herë pas here terrorizonte banorët. Ata kanë kërkuar largimin e tij nga fshati. Familja e Ndue Pjetrit është shoqëruar në polici për të sqaruar rrethanat rreth kësaj ngjarje.
12 Shtator 2009