Qeveria, Patozi kundër PBDNJ
Adi Shkëmbi
Nënkryetari i PD, Astrit Patozi, është kundër një pranie të mundshme të PBDNJ-së në koalicionin qeverisës, duke e konsideruar atë si kundërproduktive për interesat e PD dhe të qeverisjes së vendit. Kryeministri Berisha ka lënë të hapur mundësinë e rikthimit të PBDNJ-së në qeveri. Si e komentoni ju këtë qëndrim të kreut të maxhorancës?
Sigurisht është në të drejtën edhe diskrecionin e kryeministrit që të vendosë jo vetëm përbërjen politike, por edhe emrat që do të përbëjnë kabinetin e tij të ardhshëm qeveritar. Por mua kjo nuk më pengon të them atë që e kam bindje prej kohësh se përfshirja e mundshme e PBDNJ–së në koalicion nuk i sjell ndonjë të mirë interesave politike të PD-së, e aq më pak ajo mund të ndikojë në rritjen e cilësisë apo performancës së qeverisë. Dhe këtu nuk ka asgjë emocionale. Mendoj se japim mesazhin e gabuar, si në rrafshin politik, ashtu edhe në atë të thjeshtë pragmatist. Sepse rikthimi i tyre në “vathën” e qeverisë, vetëm disa muajsh largimi krejtësisht të papritur dhe të pamotivuar, krijon imazhin e rremë se sjellja politike apo qëndrimet e forta në kohë fushatash elektorale nuk ndikojnë shumë apo nuk kanë fare ndikim në raportet mes dy apo më shumë partive, gjë që në fakt nuk është dhe nuk duhet të jetë e vërtetë. Nga ana tjetër, nuk mendoj se anija e shpuar nga dallgët e fushatës së humbur e PBDNJ-së mund t’i shtojë ndonjë vlerë PD-së, apo koalicionit të saj në përgjithësi. Sepse tek e fundit, pavarësisht si rrodhën ngjarjet më 28 qershor, ajo që u ndëshkua më shumë se çdo faktor tjetër politik në Shqipëri ishte vetë PBDNJ-ja, e cila në përfundim të zgjedhjeve humbi të paktën dy të tretat e përfaqësimit të saj, të paktën në raport me zgjedhjet e kaluara, i cili është përfaqësimi më i ulët i kësaj partie në të gjithë historinë e saj. Sigurisht këto nuk janë llogari tonat dhe i takon anëtarësisë së PBDNJ-së t’i analizojë, në rast se do ta kenë shansin dhe mundësinë për ta bërë këtë.
Qëndrimi juaj lidhet me mënyrën se si u largua PBDNJ-ja nga koalicioni i djathtë dhe iu bashkua PS-së?
Problemi i madh që kjo parti përjetoi nga vendimi i fortë i Dules në limitet kohore të prag fushatës zgjedhore ishin lëkundjet sizmike që e shoqëruan atë, për shkak se një pjesë e madhe e figurave dhe e anëtarësisë së saj ishin kundër daljes nga koalicioni e PD-në. Në këtë kontekst, ne nuk kemi pse tregohemi më dorëlëshuar sesa duhet që t’i krijojmë rrethana lehtësuese për të rigjetur kohezionin e para zgjedhjeve drejtuesve të sotëm të PBDNJ-së, ndërkohë që nuk kemi qenë ne aspak shkaktarët e prishjes së tij. Maksimumi i tolerancës ndaj një force politike, që të ikën nga koalicioni pas një qeverisje të përbashkët katërvjeçare, do të ishte nëse ajo do të zgjidhte neutralitetin si qëndrim të saj, duke u barazlarguar nga të dy kampet kryesore të politikës. Por siç e dimë, kjo nuk ndodhi, sepse Dule dhe partia e tij u rreshtua në çadrat e Edi Ramës, për të na larguar ne nga pushteti dhe nuk është se luftoi pak për këtë çështje.
Atëherë, sipas jush, përse kryeministri insiston në koalicionin me PBDNJ-në?
Unë përpiqem të kuptoj motivet e kryeministrit, kur e lë derën hapur për këtë parti, të cilat sigurisht që kanë të bëjnë me administrimin jorevanshist dhe pa triumfalizëm të pushtetit. Por sado që përpiqem ta shoh në anën e mirë, më tingëllon në të gjitha rastet një bamirësi e ekzagjeruar dhe e pamerituar, e cila në finale nuk jep asnjë efekt pozitiv. Kur flas për këtë temë, nuk kam aspak parasysh individë të veçantë dhe aq më pak të kem paragjykime për ta. Kam bashkëpunuar dhe do të bashkëpunoj sa të më jepet rasti dhe mundësia me Vangjel Dulen dhe me çdo përfaqësues tjetër legjitim të PBDNJ-së dhe të çdo partie tjetër parlamentare ose jo qoftë ajo. Unë i përkas asaj kategorie politikanësh që nuk ngutem kurrë për të thënë fjalën dhe mendimin e tyre. Por në rast se unë arrij të gjej vlera reale te Vangjel Dule apo te ndonjë figurë tjetër e spikatur e asaj, që ka mbetur nga PBDNJ-ja, unë nuk mund të mos them se akrobacitë e forta në politikë nuk lenë shije të mirë te publiku. Dhe në rast se publiku ka pasur gjykimin e vet alternativ për gjestin e Dules në pragfushatë (në varësi të përkatësisë partiake), pas rikthimit të tij të mundshëm në grinjën tonë nuk do të ketë vend për alternativë, sepse ne dhe vetëm ne do të gjykohemi për keq.