Lezhë, zjarrvënia, përfshihet në flakë fshati Manati
Një zjarr me përmasa të konsiderueshme ka rënë në afërsi të qytetit të Lezhës, informuan dje për gazetën “Albania” burime policore. Flakët janë pikasur në një zonë të pyllëzuar pranë fshatit Manati të rrethit Lezhë, në orën 16:30 pasdites së djeshme. Po të njëjtat burime saktësuan se katër shtëpi, të cilat ishin gjysmë të rrënuara dhe pa banorë brenda, janë përfshirë nga flakët duke pësuar dëmtime të pjesshme. Fatmirësisht, në momentin e shpërthimit të flakëve nuk ka pasur banorë në shtëpitë e rrezikuara nga djegia. Pasi kanë parë shtëllungat e tymit që dilnin fare pranë shtëpive të tyre ata janë larguar jashtë zonës së rrezikut. Në vendngjarje kanë shkuar forca zjarrfikëse dhe policore, por ende nuk ka raportim për shuarjen e plotë të zjarrit, pasi po punohet ende.
Gjirokastër
Digjet transformatori, qyteti disa orë pa energji
Digjet transformatori i Nënstacionit Elektrik në Gjirokastër, duke lënë pa energji pothuajse të gjithë qytetin. Burime nga vendngjarja bëjnë të ditur se transformatori, një ndër kryesorët në furnizimin me energji të Gjirokastrës, ka marrë flakë pas një shpërthimi. Uniformat blu shkuan në vendngjarje për të hetuar mbi shkakun e shpërthimit, por ende nuk kanë dalë në një përfundim për shkaqet e shpërthimit të transformatorit që la pa energji qytetin e gurtë. Forca të zjarrfikësve mbërritën në vendngjarje duke bërë të mundur lokalizimin dhe shuarjen e flakëve të zjarrit. Ndërkohë nisi puna për zëvendësimin e transformatorit me një tjetër, çka do të bëjë të mundur rikthimin e energjisë. Punimet zgjatën më shumë se tri orë, duke paralizuar jetën e qytetit. Më të dëmtuara nga mungesa e energjisë ishin bizneset.
12 Shtator 2009