E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet polici, vrau ushtarin e kufirit

14/08/2009  Ngjarja në 1990 në portin e Durrësit. Adhurim Sallamani u largua gjatë trazirave të ’97-s

DURRES- Interpol Tirana në bashkëveprim me shërbimet e investigimit gjerman kanë mundur të identifikojnë dhe të ekstradojnë një ish-efektiv policie i cili ishte dënuar nga drejtësia shqiptare me “burgim të përjetshëm”. Adhurim Sallamani 43 vjeç është shoqëruar nga katër agjentë gjermanë dhe në Rinas i shumëkërkuari është lënë në pranga në duart e efektivave të policisë shqiptare. Sallamani është dënuar për disa vepra penale mes të cilave edhe për vrasjen e një ushtari kufiri në portin e Durrësit në kohën e nisjes së proceseve demokratike në vend. 43-vjeçari ka vuajtur disa vite dënimin në Elbasan dhe gjatë trazirave të vitit 1997 ka mundur të braktisë vendin e vuajtjes së dënimit për t’u strehuar jashtë vendit.

Ekstradimi

Dje në mëngjes agjentë të shërbimit sekret gjerman dhe dy agjentë të Interpol Tirana kanë riatdhesuar forcërisht shtetasin Adhurim Sallamani 43 vjeç, i lindur në Arapaj dhe banues në lagjen numër 8 të Durrësit. Ky shtetas është mbajtur për më shumë se 2 vitesh nën vëzhgim pasi agjentët e shtetit shqiptar e kanë pasur të pamundur për të zbuluar rezidencën e të kërkuarit. Katër muaj më parë, sipas burimeve policore, Interpol Tirana, pasi është siguruar për identitetin dhe vendstrehimin e Sallamanit ka kërkuar nga autoritetet e shërbimeve inteligjente gjermane bashkëpunim për ta prangosur 43-vjeçarin. Dosja dërguar drejtësisë gjermane ka qenë e plotë dhe kjo ka nxitur bashkëpunimin mes palëve për të kapur dhe ekstraduar Adhurim R. Sallamanin. Ky shtetas, sipas policisë së Durrësit, ka kryer një vrasje në vitin 1990. Burime zyrtare thonë se Sallamani ka qenë efektiv policie dhe punonte si mekanik në ofiçinën e kufirit në portin e Durrësit. Pikërisht atje edhe është grindur për motive të dobëta me një ushtar të kufirit të cilin e ka qëlluar me armën e punës duke e vrarë në vend. Pas këtij krimi shtetasi Adhurim Sallamani është vënë nën akuzën e “vrasjes për motive të dobëta”, “vrasjes së mbetur në tentativë” dhe “shpërdorimit të armatimit dhe shkeljes së rregullave të shërbimit ushtarak”. Gjykata e rrethit gjyqësor të Durrësit e ka dënuar Sallamanin me “Burgim të përjetshëm” me vendim numër 26, datë 3.8. 1004. Vendimin e gjyqësorit të shkallës së parë e ka lënë në fuqi edhe gjykata e Apelit, ndërsa vrasësi është dërguar për të vuajtur dënimin në Elbasan. Gjatë trazirave të vitit 1997 ky shtetas ka thyer burgun dhe është larguar nga vendi i vuajtjes së dënimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›