E Diel, 1 Nëntor 2026

Sigurimi i jetës së policëve, me kontrata

14/08/2009  Sindikata e Policisë së Shtetit parashtron një sërë kërkesash për kolegët

Bilanc tragjik, 238 policët të vrarë gjithsej 6 dëshmorë vetëm këtë vit

TIRANË- Teksa sot mbushet plot një javë nga masakra e Durrësit, ku u vranë 4 oficerë policie, sindikata e uniformave blu ka reaguar duke përpiluar kështu një sërë kërkesash që kanë të bëjnë kryesisht me sigurimin e jetës. Kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit Sadetin Fishta në një komunikim me mediat tha se do të kërkohet përpilimi i kontratave të sigurimit personal në punë për rastet e humbjes së jetës në krye të detyrës, humbjes natyrore të jetës dhe përfitim për paaftësi të përhershme totale nga plagosje që çojnë në paaftësi totale për punë. Gjithashtu do të kërkohet përfitim për paaftësi të përhershme të pjessshme për punonjësin e policisë i cili është aksidentuar në krye të detyrës, përfitim ky i llogaritur në përqindje mbi shumën e sigurimit për jetën, pagesë për paaftësi të përkohshme në punë, ti jepet punonjësit të policisë në formë dëmshpërblimi ditor për çdo ditë paaftësie si pasojë e dëmtimit në punë, përfitim për mbulim të shpenzimeve mjeksore, për blerje ilaçesh, radiografi, skaner apo rehabilitim shëndetësor të tij dhe trajtim që vjen si pasojë e aksidentit, pagesë për shpenzimet e varrimit si dhe përfitim për trajtim mjeksor jashtë shtetit, për kryerjen e ndërhyrjve kirurgjikale dhe trajtimeve mjeksore të cilat nuk mund të kryhen brenda vendit. Fishta tha gjithashtu se «është e pafalshme që punonjësit e policisë së shtetit akoma të punojnë dhe të riskojnë jetën e tyre pa kontrata sigurimi të jetës së tyre dhe kjo ndodh vetëm në Shqipëri. Askush nuk është marrë deri tani me këtë problem në një kohë që numri i të rënëve në krye të detyrës arrin në 238 punonjës policie, ku vetëm për këtë vit u regjistruan 6 dëshmorë. E asnjë prej tyre nuk ka përfituar siguracion jete, ndryshe nga shumë profesione të tjera në vendin tonë ». Gjithashtu kjo sindikatë do të kërkojë që shuma për çdo punonjës të siguruar e përcaktuar në formularin e kontratës së sigurimit të jetës, të mos jetë më e ulët se 6.000.000 (gjashtë milion) lekë, dhe tarifa e primit të sigurimit të mos jetë më e ulët se 0.5% e shumës së siguruar të shënuar në formularin e kontratës së sigurimit si dhe shpërblimin deri në një pagë sipas Ligjit për Policinë e Shtetit nr 9749, datë 04.06.2007, neni 88, pika 5. (paga e 13-të).

Pabarazia në pensione

Sindikata thotë se vendimi i Qeverisë me numër 552 , datë 27.11.1999 « Për trajtimin ekonomik e financiar të familjeve të punonjësve të policisë që humbin jetën ose plagosen për shkak të detyrës » trajton vetëm punonjësit e policisë të rënë pas 1 Janarit 1999. Ndërsa punonjësit e tjerë të rënë para vitit 1999 nuk i trajton fare.

.Marrja e kredisë

Pika 4 pjestarëve të familjeve të punonjësve të policisë që kanë humbur jetën në krye të detyrës , sipas ligjit nr 8030, date 15.11.1995 «Për kontributin e shtetit për familjet e pastreha» kur klasifikohen te pastrehe u jep kredi afatgjatë me interes 1% dhe me përparësi !. Përfitim ky mëse i zakonshëm edhe për një deputet apo qeveritar.

Paga për gradën

Sidikata i kërkon qeverisë që t’u japë punonjësve të policise së shtetit shtesën në pagë për vjetërsi në punë ashtu siç e ka edhe pjesa tjetër e administratës së shtetit e parashikuar kjo në Kodin e Punës dhe jo për një vit siç e ka vendimi i qeverisë, i cili njeh vjetërsinë e kohës së qendrimit në gradë nga korriku i vitit 2008.

Kërkesat për kontratat dhe përfitime të tjera

-Humbjes së jetës në krye të detyrës

-Humbjes natyrore të jetës

-Përfitim për paaftesi të përhereshme totale nga plagosje që çojne në paaftesi totale për punë

-Përfitim për paaftësi të përhershme të pjessshme për punonjësin e policisë i cili është aksidentuar në krye të detyrës, përfitim ky i llogaritur në përqindje mbi shumën e sigurimit për jetën

-Pagesë për paaftësi të përkohshme në punë, ti jepet punonjësit të policisë në formë dëmshpërblimi ditor për çdo ditë paaftësie si pasojë e dëmtimit në punë

-Përfitim për mbulim të shpenzimeve mjeksore, për blerje ilaçesh, radiografi, skaner apo rehabilitim shëndetësor të tij dhe trajtim që vjen si pasojë e aksidentit

-Pagesë për shpenzimet e varrimit si dhe përfitim për trajtim mjeksor jashtë shtetit, për kryerjen e ndërhyrjve kirurgjikale dhe trajtimeve mjeksore të cilat nuk mund të kryhen brenda vendit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›