E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimi i molit, Bashkia e Vlorës përplaset me Ministrinë e Mbrojtjes



VLORE - Një ndërtim i nisur nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes për një mini-mol që do t’i shërbejë rezidencës qeveritare në afërsi të tunelit në Vlorë, është kthyer në konflikt mes pushtetit vendor dhe atij qendror. Ndërtimi i molit ka nisur ditën e martë ku janë hedhur bazamentet e betonit mbajtëse. Por një ditë më pas, në vend është prezantuar Policia Bashkiake. Me urdhër të kreut të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, ata i kanë kërkuar punonjësve të ndërpresin punimet. Sipas burimeve zyrtare nga Bashkia e Vlorës, hapësira në fjalë është pronë e Ministrisë së Mbrojtjes. Por për ndërtimin e nisur askush s’ka marrë leje nga autoritet vendore dhe si i tillë ai konsiderohet pa leje.
Kreu i bashkisë ka urdhëruar ndërprerjen e ndërtimit pa leje me ndërhyrje të Policisë Bashkiake, ndërsa ende nuk ka asnjë reagim zyrtar nga pala tjetër. Aktualisht ndërtimi është ndërprerë për një moment të dytë, ndërsa kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, u shpreh dje se “asnjë ndërtim pa leje nuk do të lejohet në territorin e Bashkisë së Vlorës. Kësaj çështjeje do t’i qëndrojmë deri në fund, me qëllim moslejimin e shkeljes së ligjit”. Ndërtimi i molit, që mendohet se do të shërbejë për ankorimin e jahteve për llogari të rezidencave qeveritare aty pranë nuk do të vijojë deri në zgjidhjen e këtij konflikti. Disa banorë, të cilët kanë biznese në zonën e tunelit u shprehën nën zë se në shkëmbinjtë e molit mund të ndërtohet një lokal me konstrukt të lehtë, por kjo nuk është bërë publike. Ky fakt mund të vërtetohet më vonë, kur punimet të vijojnë dhe të shihet ndërtimi i bërë. Gjatë ditës së djeshme nuk ka pasur asnjë reagim prej dikasterit të Mbrojtjes, duke e lënë këtë çështje vetëm me urdhrin e pezullimit nga ana e Bashkisë së Vlorës. q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›