E Diel, 1 Nëntor 2026

I maskuari grabit me armë 5 milionë lekë në kazino



Etleva Delia

Një person i maskuar dhe i armatosur grabiti dje një sallë lojërash fati në Tiranë ku besohet se ka marrë të paktën 5 milionë lekë pasi kërcënoi punonjësit. Ngjarja ndodhi në orën 05:00 të mëngjesit, në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë. Policia tha se autori i ngjarjes ende është i pa identifikuar edhe pse grupi i hetimit verifikoi asetat e kamerave të vëzhgimit që u sekuestruan në ambientet e kazinosë. Specialistët e seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë, kanë vëzhguar me imtësi çdo lëvizje të personit që kishte grabitur paratë në kazino, por imazhet nuk kanë ndihmuar në identifikimin e autorit të ngjarjes. Sipas deklarimeve paraprake të dhëna në polici nga tre punonjësit që ndodheshin në kazino në momentin e ngjarjes, shuma e parave të grabitura, dyshohet të jetë 4-5 milionë lekë të vjetra. Nga hetimet paraprake të policisë, përfshi dëshmitë e personave okularë dhe verifikimi i kasetave filmike, grabitja është kryer nga një person i vetëm, i cili ka qenë i maskuar dhe mbante në dorë një pistoletë, të cilën ia kishte drejtuar arkëtarit.
Grabitja
Autori i ngjarjes ka hyrë në sallën e lojërave të fatit si një klient i zakonshëm në orën 05:00 të mëngjesit. Më pas ai ka nxjerrë armën pasi është afruar tek arka dhe nën kërcënimin e saj ka detyruar punonjësit që ndodheshin në kazino, t’i dorëzonin të gjitha paratë. Shuma është vendosur në çantën që mbante me vete grabitësi i cili është larguar nga kazinoja ndërsa mbante armën të drejtuar ndaj personelit deri tek dera e jashtme. Pasi ka dalë nga kazinoja, autori i krimit besohet se është larguar në drejtim të rrugës “Muhamet Gjollesha”, më tej asgjë nuk është e qartë nga lëvizjet e tij, pasi në kohën kur ndodhi ngjarja në rrugë nuk ka pasur dëshmitarë të mundshëm që të shihnin lëvizjet e tij. Nuk është e qartë nëse pasi ka dalë nga kazinoja, grabitësi është larguar në këmbë apo është pritur nga ndonjë automjet në afërsi të vendit të ngjarjes.
Hetimi
Menjëherë pas sinjalizimit të dhënë nga ora 05:00 e mëngjesit, kur në kazinonë tek ish-Kinema “Dajti”, tek rruga “Myslym Shyri”, në Tiranë, është futur një person i maskuar dhe me armë, policia ka nisur hetimet. është e njëjta zonë në të cilën pak ditë më parë, një person ende i pa identifikuar grabiti filialin e një banke. Sipas hetimeve, në kohën kur grabitësi ka hyrë dje në kazino, aty ndodheshin vetëm tre punonjësit, arkëtari, menaxheri dhe banakierja. Personi i armatosur, i cili ka mbajtur maskën në fytyrë edhe pasi hyri në kazino, është drejtuar menjëherë tek arka, ku mbaheshin paratë e llogarisë ditore, të cilat duhej t’i dorëzoheshin pronarit të objektit. Nën kërcënimin e armës, duke ia mbajtur vazhdimisht tek koka, ai ka detyruar njërin nga punonjësit, të nxirrte të gjitha paratë që ndodheshin në kasë dhe t’i fuste në çantën që grabitësi kishte me vete. Për disa orë, punonjësit e kazinosë janë marrë në pyetje dje lidhur me dialektin e përdorur nga grabitësi. Atyre u janë kërkuar shpjegime për çdo informacion të mundshëm mbi autorin me qëllim identifikimin e tij.

E paqartë shuma e parave të grabitura

Grupi hetimor që po merret me grabitjen e ndodhur dje në kazino, ende nuk ka përcaktuar një shumë të saktë të parave që janë marrë forcërisht nga autori i ngjarjes. Informacioni i vetëm mbi këtë fakt, është dhënë nga vetë punonjësit e kazinosë, ndërkohë që pretendimi i tyre po verifikohet. Shuma e parave, afërsisht 5 milionë, është artikuluar nga arkëtari i kazinosë, i cili është marrë në pyetje rreth ngjarjes, së bashku me menaxherin dhe banakieren që ndodheshin aty në momentin e ngjarjes. Sipas tij në kasën që ai u detyra ta zbrazte dhe paratë t’i fuste në çantën e autorit, mund të ishte një shumë mes 4 deri në 5 milionë lekë të vjetra.

“Myslym Shyri” rruga e grabitjeve
TIRANE – Dy persona të armatosur dhe me maska, grabitën pak ditë më parë filialin e një banke në rrugën “Myslym Shyri” në kryeqytet. Shuma e grabitur besohet se ishte rreth 5 milionë lekë. Ndërkohë policia filloi hetimet për ngjarjen, duke ndaluar rojën e bankës i cili më pas u la i lirë nga gjykata, pasi rezultoi i pa implikuar në këtë ngjarje. Dosja penale e këtij krimi ndodhet në prokurori ndërsa organi i akuzës, ka pohuar se provat e grumbulluara janë të pa mjaftueshme për identifikimin e autorit. Grabitja e filialit të bankës ndodhi në të njëjtën zonë ku u krye dje vjedhja me armë e kazinosë në rrugën “Myslym Shyri”. Edhe në rastin e grabitjes së bankës, autorët ishin të maskuar dhe të armatosur dhe operuan në të njëjtën mënyrë si personi që grabiti paratë dje në mëngjes në sallën e lojërave të fatit pranë ish-kinema “Dajti”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›