Zjarrfikësi rreh edukatoren e djalit
KRUJE – Zjarrfikësi rreh edukatoren e kopshtit se nuk i dha numrn e drejtoreshës. Policia e Krujës ka nisur hetimet në gjendje të lirë për Gëzim Panin, i denoncuar nga 39-vjeçarja V.M. për ushtrim dhune ndaj saj. Edukatorja, e cila është njëkohësisht dhe kunata e 37-vjeçarit Pani, ka kërkuar ndihmën e policisë, pasi sipas saj burri i motrës e ka qëlluar ndërsa ishte në krye të detyrës. Burime zyrtare të policisë së Krujës thanë se ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së martës, në kopshtin Nr.2 të qytetit, ku Pani kishte djalin. Nisur nga fakti se i biri nuk pranonte të shkonte në kopsht, duke treguar se kishte frikë nga edukatorja, i ati është drejtuar vetë në këtë institucion. Sapo ka mbërritur Pani, me profesion polic zjarrfikës, ka kërkuar të takojë drejtoreshën, e cila nuk ndodhej aty. Edukatorja V.M. pohoi më pas në polici se është munduar që të qetësojë. Pasi ka pritur për mbi 1 orë, 37-vjeçari i ka kërkuar një numër kontakti celular të drejtoreshës, por edukatorja i është përgjigjur se nuk ishte e autorizuar për këtë. Kjo përgjigje ka revoltuar Panin, i cili akuzohet se e ka qëlluar me grushte e shqelma kunatën. Ai është larguar më pas nga kopshti, por policia me të marrë njoftimin e ka shoqëruar në komisariat zjarrfikësin. Sipas policisë, ndaj Panit rëndon akuza e “dhunimit të personave në detyrë, për shkak të cilësive të veçanta”. r.n