Ekstradohet vrasësi i dënuar me 24 vjet burg
TIRANE – Interpol-Tirana solli dje më pranga në Rinas 31 vjeçarin pukjan, Ndue Memaj, i dënuar në mungesë me 24- vjet burg për vrasje me paramendim. Sipas gjykatës së Pukës, e cila e ka gjetur fajtor të riun dhe e ka dënuar në vitin 2000, Memaj, më datë 8 nëntor 1999, në Fushë-Arrëz ka qëlluar me automatik dhe ka vrarë shtetasin Jak Ndoka. Në momentin e vrasjes, Ndoka ka qenë duke drejtuar mjetin e tij furgon dhe si pasojë është përplasur me një kioskë, duke shkaktuar vdekjen e shtetasit Agron Hyseni, i cili gjendej brenda saj. Nga kjo ngjarje është plagosur gjithashtu edhe një kalimtar i rastësishëm. Më pas autori është larguar nga vendngjarja, duke i dhënë një letër kryeplakut të fshatit në të cilën shkruhej se vrasjen e kishte kryer për gjakmarrje. Policia pohoi dje se si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tirana me Interpol-Romën më datën 19 shkurt 2007, në Milano, u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, të Memajt. Ndërkohë, po dje u ekstradua 30 vjeçari Erjon Kallmeti nga Nikla e Krujës, i dënuar me 15- vjet burg për “trafik prostitucioni”, i cili iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të vuajtur dënimin e marrë në mungesë. Sipas policisë, Erjon Kallmeti është denoncuar në tetor të vitit 2002 nga shtetasja Rozeta Bajrami, e cila ka denoncuar edhe dy miqtë e tij, Klodiana Shkoza dhe Gazmir Daka. Gjykata e Durrësit, në përfundim të procesit vendosi ta dënonte Shkozën dhe Kallmetin me nga 15- vjet burg, ndërsa Dakën 7- vjet, të cilin e gjeti fajtor vetëm për “shfrytëzim prostitucioni”. Ky vendim u la në fuqi nga Apeli, por u rikthye për rigjykim nga Gjykata e Lartë. Ndërkohë, gjatë kësaj kohe Kallmeti është shpallur në kërkim policor. Në bazë të urdhër-arrestit shqiptar ai u arrit të prangosej në Itali më 19 nëntor të vitit të kaluar. fa.ma.