Gërdeci, Prokuroria rrëzon tetë kërkesat e avokatëve
Armand Bajrami
Prokuroria e Tiranës i kërkoi dje Gjykatës të rrëzojë të gjitha kërkesat e avokatëve për pavlefshmëri të akteve procedurale të dosjes “Gërdeci”. Kërkesa në fjalë u artikulua nga prokurori Petrit Bica në seancën e radhës së gjykimit në ngarkim të Mihal Delijorgjit, Ylli Pinarit, Dritan Minxollit dhe ish-ushtarakëve të Ministrisë së Mbrojtjes të vënë nën akuzë për shpërthimin e 15 marsit 2008 në Gërdec. Sipas përfaqësuesve të organit të akuzës, kërkesat paraprake të të pandehurve ishin të padrejta e të pambështetura në ligj dhe si të tilla nuk duhet të pranoheshin nga gjykata. Kërkesat e mbrojtjes, të parashtruara në seancat e kaluara, kishin të bënin kryesisht me pavlefshmërinë e disa akteve procedurale të dosjes, përfshi këtu edhe kërkesën për gjykim apo dërgimin e saj në gjykatë. Në përfundim gjykata u tërhoq për vendim dhe ndërpreu seancën, vendim i cili do të lexohet ditën e sotme. Prokuroria kërkoi hedhjen poshtë të kërkesës për zhvillimin e procesit me dyer të mbyllura, duke thënë se gjyqi ka interes publik, ndërsa dosja nuk ka sekrete shtetërore.
SEANCA
Ardhja me vonesë e dy prej avokatëve mbrojtës nuk solli probleme në mbarëvajtjen e procesit dje, pasi ata kishin njoftuar më parë gjykatën dhe kishin caktuar zëvendësuesit e tyre të përkohshëm. Bashkë me avokatët të pranishëm ishin edhe disa prej të pandehurve, ndërsa brenda kafazit të sallës ndodhej vetëm një prej të arrestuarve të dosjes, Sokol Gjeci. E para kërkesë për të cilat Prokuroria kërkoi mospranim ishte ajo e të pandehurit Ylli Pinari për seancë me dyer të mbyllura. “Prokuroria nuk e vlerëson që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura, kjo edhe për faktin që procesi është tepër i ndjeshëm për opinionin publik”, tha prokurori. Në vijim prokurori Bica shtoi se, nëse gjatë shqyrtimit do të ketë momente marrje provash që do të vlerësohen si sekrete shtetërore, për ato seanca do të kërkohen dyer të mbyllura. Për kërkesën e të pandehurve Shpëtim Spahiu e Ardian Mullai dhe të tjerë për pavlefshmëri të disa akteve të dosjes për shkak të tejkalimit të afateve ligjore të hetimit, Prokuroria pretendoi se nuk ekzistonte asnjë parregullsi procedurale. Organi i akuzës kërkoi dje edhe rrëzimin e të vetmes kërkesë për veçim të dosjes, nga i pandehuri Agim Lala, me arsyetimin se ndarja do të dëmtonte procesin.
Kërkesat e avokatëve
- Pavlefshmëri të akt-ekspertimit ekonomiko-financiar
- Pavlefshmëri të akt-ekspertimit tekniko-ushtarak
- Pavlefshmëri për vendimin e dërgimit të çështjes për gjykim
- Pavlefshmëri të kërkesës për gjykim
- Pavlefshmëri të gjitha deklarimet e dhëna nga të pandehurit
- Pavlefshmëri të njoftimit të akuzës për “Albademil” sh.p.k
- Pavlefshmëri akt-kontrollit të zyrës së Ylli Pinarit