Ekstradohet vrasësi i të dashurës
• Ekstradohet nga Greqia Gëzim Lulo 47 vjeç, baxhanaku i ministrit të Bujqësisë Jemin Gjana, i dënuar me 16 vite burg për vrasjen e të dashurës së tij, Trëndafile Omeri, më 21 nëntor të vitit 2006 në fshatin Menik të Librazhdit.Dashamir BiçakuSipas burimeve zyrtare të policisë, Gëzim Lulo, i njohur edhe me emrat Theodhori dhe Gazi Lulo, është ekstraduar dje nga zyra e Interpol Tiranës e cila ka sjellë me pranga në duar të kërkuarin, pas arrestimit të tij në Greqi. I akuzuari duhet të vuajë dënimin prej 16 vitesh të dhënë ndaj tij në Shqipëri. Ekstradimi i Lulos ka përfunduar dje në mesditë, kur i kërkuari nga drejtësia shqiptare, zbriti i prangosur nga avioni i linjës ajrore Athinë-Tiranë. Në krah të tij qëndronin dy nga oficerët e zyrës së Interpol Tiranës, të cilët e kishin marrë në dorëzim 47-vjeçarin, e akuzuar për vrasje nga homologët e tyre të Interpolit grek. Gëzim Lulo është dënuar me 5 korrik të vitit të kaluar nga Gjykata e Librazhdit me 25 vite burg për vrasjen e Trëndafile Omerit dhe plagosjen e nuses së vëllait të saj, Klodiana Omeri. Burimet e policisë thanë se, gjatë udhëtimit me avion, për më tepër se një orë, Lulo, është treguar gjatë gjithë kohës si një pasagjer i rregullt, pa krijuar asnjë shqetësim, ndonëse qëndronte me pranga në duar. Në një rast sipas burimeve i arrestuari ka marrë edhe shërbimin e avionit, të ofruar nga stjuardesat e shoqërisë ajrore. Arrestimi Një ditë para se të kryente vrasjen, autori i krimit, i ekstraduar dje, kishte hyrë në doganën e Kapshticës, por pa u regjistruar në pikën e kalimit kufitar nga efektivët e policisë. Gjithsesi ai ishte regjistruar nga kamerat vëzhguese tek hynte dhe dilte në këtë pikë të kalimit kufitar. Ashtu si edhe para vrasjes, pas krimit ndaj të dashurës së tij, Gëzim Lulo, u largua në drejtim të Greqisë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kapshticës. Edhe në këtë rast, Lulo nuk është regjistruar nga specialistët e Policisë Kufitare në pikën e kalimit, por kamerat e sigurisë e fiksuan dhe kjo e zbuloi edhe vendqëndrimin e tij në Greqi, në një fshat pranë zonës së Follorinës. Verifikimi i kamerave të sigurisë nga oficerët e Prokurorisë zbuloi se 47-vjeçari nga Pogradeci, baxhanak me ministrin aktual të Bujqësisë, ishte larguar në drejtim të Greqisë një ditë pasi kishte kryer vrasjen në Librazhd. Gjithsesi një fakt i tillë nuk ishte referuar në regjistrin e hyrje-daljeve të shtetasve në pikën e kalimit kufitar. Hetimet disa ditore, zbuluan dhe provuan se autori i krimit ishte fshehur në banesën në pronësi të tij në një fshat grek pranë Follorinës. Gjatë kësaj kohe policia kishte gjetur armën e krimit, një automatik me disa krehra, si dhe kishte bllokuar në banesën e të dyshuarit, një armë gjahu pa leje. Gëzim Lulo u arrestua rreth një javë pas krimit që kishte kryer në Librazhd, kur vrau të dashurën në fshatin Menik, ku i arrestuari ishte pronar i një rezervati peshku. E dashuraI akuzuari për vrasjen e Trëndafile Omerit, Gazmir Lulo, që tashmë mban emrin Theodhori Lulo, ndërsa në rrethin e tij njihej edhe me emrin Gëzim Lulo, është dënuar nga Gjykata e Librazhdit me 25 vite burg. Ai ka përfituar si ulje një të tretën e dënimit, pasi pranoi autorësinë e krimit nëpërmjet një prokure lëshuar avokatit të tij. Sipas policisë, Lulo akuzohej për krimin e vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të viktimës. PlagosjaKlodiana Omeri, e cila ka qenë në makinë bashkë me të dashurën e autorit të dyshuar për vrasjen, është plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri nga personi i ekstraduar dje nga Greqia. Mësohet se e plagosura është ndodhur rastësisht në vendin e ngjarjes dhe është qëlluar nga plumbat si pasojë e të shtënave që Gëzim Lulo ka hedhur në drejtim të të dashurës së tij, si pasojë e mosmarrëveshjeve për xhelozi mes tyre. Pritë e plumba të dashurës për xheloziTIRANE - Para se të kryente krimin, Gëzim Lulo kishte ndërruar emrin duke u quajtur Theodhori Lulo. Më 21 nëntor 2006, ai qëlloi për vdekje të dashurën e tij, Trëndafile Omeri për motive xhelozie. Kjo e fundit sipas hetimit të kryer nga policia dhe Prokuroria, kishte vendosur të ndahej me Lulo pasi ishte duke u njohur me një person tjetër. Ky është motivi i krimit të kryer mesditën e 21 nëntorit të dy viteve më parë. Viktima po udhëtonte me mjetin e saj, BMW me targa LB 2090 A, ndërsa ishte në shoqërinë e nuses së të vëllait, Klodiana Omeri. Gëzim Lulo kishte zënë pritë mjetit BMW, të drejtuar nga Trëndafile Omeri, duke vënë gurë të mëdhenj në rrugë. Ndërsa drejtuesja e mjetit zbriti të hiqte gurët, Lulo doli nga vendi ku ishte fshehur dhe me një armë automatike qëlloi disa herë mbi të dashurën e tij, Trëndafile Omeri. Ajo mbeti e vdekur në vend nga plagët e marra, ndërsa e plagosur mbeti kunata e saj, Klodiana Omeri.