Gjobë ndërtuesit me foton intime, dosja në gjykatë
• Një fotografi e pretenduar si intime, një palë dylbi dhe një kompjuter si dhe dy celularë, kanë qenë mjetet me të cilat dy të akuzuarit do të përfitonin 50 mijë euro përmes shantazhit.Trazhgim SokolajShuma prej 50 mijë eurosh duhej të paguhej nga biznesmeni i ndërtimit me iniciale Xh.P., banues në qytetin e Korçës, përndryshe fotografia e tij “intime” me një mikeshë do të bëhej publike. Personat e akuzuar për gjobëvënien ndaj ndërtuesit korçar dhe shantazhin e ushtruar ndaj tij, janë Klaus Et`hemi dhe Johan Haxhiaj. Dosja penale në ngarkim të tyre tashmë është dorëzuar nga Prokuroria në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Organi i akuzës ka përfunduar hetimet për këtë ngjarje, duke zbardhur rrethanat e gjobëvënies ndaj biznesmenit të ndërtimit, i cili mësohet se ka pasur vetëm njohje me personin që ndodhet bashkë me të në foton e shantazhit. Fashikulli me materialet hetimore është dërguar në gjykatë me akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim ndaj të arrestuarve Klaus Et`hemi dhe Johan Haxhiaj. Për shkak të rrezikshmërisë së tyre, policia angazhoi forcat speciale të repartit RENEA, të cilat gjatë operacionit të koduar “Maliqi” arrestuan dy gjobëvënësit. Ata dyshohet se gjatë kohës që biznesmeni po hezitonte të kthente një përgjigje për shumën e kërkuar, e kanë kërcënuar atë duke i thënë se do t’i merrnin peng familjen, ndërsa i kanë hedhur pranë shtëpisë edhe një sasi tritoli. Shantazhi me fotoDisa letra anonime kanë mbërritur në ditët e muajit tetor 2007 në shtëpinë e biznesmenit të ndërtimit me iniciale Xh.P., banues në Korçë. Autorët e ngjarjes i kishin shkruar në kompjuter letrat, duke besuar se në këtë mënyrë mund të shmangnin rrezikun e zbulimit nga kaligrafia e shkrimit të dorës, e cila ekspertohet lehtësisht nga policia. Në letrat anonime biznesmeni i ndërtimit kërcënohej se nëse nuk do të paguante 50 mijë euro, një fotografi ku ai ishte fiksuar në momente intime me një femër do të bëhej publike. Letrat anonime kanë vazhduar çdo 2-3 ditë, derisa biznesmeni është drejtuar në polici dhe ka bërë denoncimin. Agjentët e policisë kanë hartuar ndërkaq planin për kapjen e gjobëvënësve, duke këshilluar ndërtuesin të qëndronte në komunikim me personat që i bënin shantazh. Denoncuesi ka pretenduar se autorët e kishin kërcënuar t’i merrnin peng edhe familjen, ndërsa i kishin hedhur edhe tritol pranë shtëpisë. Është vendosur në këtë mënyrë koha dhe vendi ku do të bëhej dorëzimi i gjobës prej 50 mijë euro. Biznesmeni është nisur më 1 nëntor 2007 në drejtim të kodrave në periferi të qytetit të Korçës, i shoqëruar nga forcat speciale të repartit RENEA. Këta të fundit kanë arrestuar në flagrancë dy të akuzuarit Klaus Et‘hemi dhe Johan Haxhiaj, të cilët ishin duke pritur të merrnin paratë në vendin ku kishin lënë takim me biznesmenin. Pas arrestimit të gjobëvënësve, policia sekuestroi dylbitë me të cilat ata kishin përgjuar biznesmenin gjatë lëvizjeve të tij si dhe kompjuterin në të cilin ishin shkruar letrat kërcënuese. Letrat anonime, sekuestro kompjuteritGrupi hetimor i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i cili mori juridiksionin e dosjes për shkak të akuzës së rëndë, ka urdhëruar një kontroll në banesat e dy të arrestuarve. Aty është gjetur kompjuteri në të cilin gjobëvënësit i kanë shkruar letrat anonime, të cilat ia dërgonin biznesmenit të ndërtimit për ta kërcënuar atë. Të arrestuarve u janë sekuestruar edhe dylbitë me të cilat është përgjuar biznesmeni.