E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD-ja shkarkon 14 kryetarë gjykatash

• Kryetarët e 14 gjykatave të vendit kanë lënë dje karriget e tyre pasi kishin kaluar më tepër se 4 vjet në këto funksione.Fatos Mahmutaj Ishte një vendim i Këshillit të Lartë të Drejtësisë i marrë në mbledhjen e djeshme, ai që limitoi mandatet e krerëve të togave të zeza deri në 4 vjet, ndërsa më parë kjo kohë ka qenë e palimituar. Menjëherë pas vendimit të KLD-së në mbledhjen e djeshme, u deklarua mbarimi i mandatit të krerëve të 10 gjykatave të Faktit dhe 4 të Apelit. Që në momentin e nisjes së mbledhjes së djeshme, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, tha se një nga pikat e rendit të ditës do të ishte limitimi i mandatit të kryetarëve apo nënkryetarëve të gjykatave. Duke argumentuar se kjo gjente mbështetje në ligjin “Për funksionimin e KLD-së”, këshilli përcaktoi që periudha e qëndrimit në detyrë të drejtuesve të gjykatës të kufizohet në afat kohor, duke u përcaktuar mandati prej 4 vjetësh në funksionin drejtues të gjyqtarit, si kryetar apo zëvendëskryetar i gjykatës.Vendimi Menjëherë pas kësaj, po në këtë vendim, KLD-ja konkludoi që për kryetarët e gjykatave të rretheve gjyqësore dhe Gjykatave të Apelit, të cilët tashmë kanë mbushur 4 vjet në ushtrimin e funksionit drejtues, mandati i ushtrimit të këtij funksioni, në zbatim të këtij ndryshimi dhe kësaj situate të re të përfundimit të qëndrimit në funksionin drejtues, do të konsiderohet i mbaruar. Duke konkretizuar problemin, KLD në vlerësim të situatës aktuale të organikave të sistemit gjyqësor, konstatoi mbarimin e mandatit në ushtrimin e funksionit drejtues të 14 kryetarëve të Gjykatave të Faktit e Apelit. Këtyre iu komunikua dje largimi nga detyra e kryetarit, ndërsa u shpallën vakante vendet e tyre. Pas kësaj KLD-ja, me qëllim plotësimin e funksioneve drejtuese në pozicionin e kryetarit për dhjetë Gjykatat e Faktit dhe katër të Apelit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi të shpallë fillimin e procedurës për konkurrim. Konkurset KLD-ja i komunikoi dje trupës gjyqësore të secilës prej gjykatave që kanë mbetur pa kryetar, të paraqesin kandidaturat për konkurrimin në pozicionin drejtues. Kjo sipas këshillit bëhet në respektim të vendimit të tij “Për funksionet drejtuese në gjykata”. Po dje u sqarua se në kushtet kur vendimi i KLD-së nuk limiton të drejtën e gjyqtarit për rikandidim, në procesin e konkurrimit nuk përjashtohen të kandidojnë edhe gjyqtarët që deri dje ishin në pozicione të tilla drejtuese, pra kryetarët, mandati drejtues i të cilëve u përfundua dje. KLD-ja vendosi që në vendet vakante për kryetar të gjykatave, të krijuara për shkak të mbarimit të mandatit katërvjeçar të ushtrimit të funksionit drejtues, kryetarët aktualë, të cilëve u ka mbaruar mandati, do të vazhdojnë në ushtrimin e këtij funksioni deri në zgjedhjen e kryetarëve të rinj. Këta do të procedojnë me drejtimin e gjykatave të dy niveleve të para për një afat jo më shumë se tre muaj. Në rast se brenda kësaj kohe nuk do të ketë një kryetar në këto gjykata, të zgjedhur sipas rregullave të konkurrimit nga trupa gjyqësore e këtyre institucioneve, atëherë KLD-ja do të komandojë kryetar nga radhët e gjyqtarëve të gjykatave të tjera të të njëjtit nivel. Procedurat e konkurrimit për këto vende në drejtimin e gjykatave pritet të shpallen nga KLD-ja në ditët në vazhdim. Pak ditë më parë këshilli publikoi rregullat e reja për promovimin e gjyqtarëve dhe ngritjen në detyrë të tyre. Sipas tyre, kriteri kryesor është vlerësimi i gjyqtarit nga komisioni i Vlerësimit si dhe tregues të tjerë që kanë të bëjnë me rendimentin, cilësinë e punës dhe etikën e gjyqtarëve. Të shkarkuaritFatime Velçani, BeratKastriot Selita, DibërArtan Laze, GjirokastërDurim Kadiu, KavajëArdiana Bera, KrujëGranit Qypi, KukësGramoz Levanaj, KurbinJak Ndoka, LezhëAli Koleci, MatLiradin Lila, PogradecTomor Skreli, Apeli Gjirokastër Stavri Kallço, Apeli KorçëMusa Halili, Apeli UshtarakVangjel Kallço, Apeli për Krime të RëndaFatmir Xhafaj: Pagat e gjyqtarëve, çështja që ende është në diskutimNënkryetari i komisionit parlamentar të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, informoi dje se ”në kuadër të ligjit për organizimin e gjyqësorit, komisioni ka shqyrtuar disa çështje që kanë të bëjnë me rregullimin e karrierës, procedimin disiplinor, por edhe dy nene të rëndësishme, të cilat kanë lidhje me pagat e gjyqtarëve”.Sipas Xhafajt, “kanë mbetur disa probleme të cilat nuk kanë marrë ende zgjidhje, por që pritet të diskutohen dhe miratohen javën e ardhshme”. “Ne kemi propozuar një rirregullim të ri të sistemit të pagave që të marrin në konsideratë edhe karrierën e tyre. Ministria e Financave po punon për një variant të ri, i cili do të marrë formë së shpejti, në përputhje edhe me Kushtetutën”, deklaroi Xhafaj. Sipas tij, “BE-ja nuk bën propozime të drejtpërdrejta në këtë proces, por realisht ka një mision të saj i cili asiston Këshillin e Lartë të Drejtësisë, lidhur me çështjen e procedimit disiplinor, në një kuadër më të gjerë ligjor, dhe në veçanti për çështjen e inspektimeve ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe KLD-së”. “Procesi duhet të jetë i ndarë në faza, pasi ministri ka të drejtën e nisjes së procedimit disiplinor, ndërsa KLD-ja ka të drejtën kushtetuese për të vendosur mbi këtë nisëm të ministrit. Ky projektligj kap thelbin kryesor për mënyrën e procedimit disiplinor, por nuk i jep zgjidhje përfundimtare atij”, tha Xhafaj. Komisioni i Ligjeve është në përfundim të diskutimit të projektligjit për funksiononim e sistemit gjyqësor, i cili falë paktit për drejtësinë të ofruar nga Partia Socialiste shënon edhe fillimin e reformës në drejtësi me bashkëpunimin e dy forcave të mëdha politike, PS-PD. Ekspertët juridikë të të dy partive të mëdha përgatitën draftet mbi të cilat anëtarët e komisionit parlamentar të Ligjeve punuan për t’i kthyer ato në projektligje të cilat javën e ardhshme do t’i paraqiten Parlamentit për miratim.Pas Gabës, shkarkohet gjyqtari i dytëTIRANE - Një javë pas ish-shefes së vet Gjinovefa Gaba, një tjetër gjyqtari i Apelit të Vlorës, i thotë lamtumirë togës së zezë. Bëhet fjalë për gjyqtarin Vasil Hanxhari, i cili u shkarkua dje nga KLD-ja. I thirrur për të dhënë shpjegime para KLD-së ai nuk arriti të bindte kolegët e tij se procedimi i kërkuar nga ministri i Drejtësisë ishte i padrejtë. Nga ana tjetër, ministri në rreth 70 faqe materiale, të përgatitura nga inspektorati pohoi se Hanxhari ka kryer shkelje të shumta në proceset që ka gjykuar, ndërsa ajo më flagrantë ishte firmosja e një vendimi, data e të cilit përkonte me kohën kur ky ndodhej me pushime në Maqedoni. Pas kësaj, anëtarët e KLD-së me shumicë votash vendosën shkarkimin e tij nga detyra e gjyqtarit, ndërsa ky pohoi se do ankohej në Gjykatën e Lartë për këtë. Procedimi disiplinor ndaj Hanxharit ishte përcaktuar në rendin e ditës të mbledhjes së kaluar të KLD-së, e cila u zhvillua para një jave. Por në atë mbledhje u diskutua vetëm shqyrtimi i procedimit për ish-shefen e Hanxharit, Gjinovefa Gaba. Për këtë shkak procedimi Hanxharit u shty për dje, ndërsa për gjyqtarin tjetër Ngresi është lënë që procedimi të shqyrtohet pas një jave. Më pas KLD-ja do të shqyrtojë procedimet disiplinore për tre gjyqtarë të tjerë të Apelit të Vlorës, Iliba Bezati, Meme Rexho dhe Alaudin Malaj, ky i fundit tashmë është transferuar në kryeqytet. Këta janë gjetur me shkelje të shumta gjatë kontrollit të ushtruar nga inspektorati i KLD-së në qershor të vitit të kaluar.                        fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›