E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ekuinoks Nato” te “Ibrahim Kodra”



Me rastin e hyrjes së Shqipërisë në Nato, në sallën “Ibrahim Kodra” pranë MTKRS është çelur para pak kohësh për t’u mbyllur fundjavën që shkoi, ekspozita e arteve bashkohore “Ekuinoks Nato”. Në këtë ekspozitë merrnin pjesë 14 artistë të gjinive të ndryshme. Kuratori dhe profesori i liceut artistik “Jordan Misja”, Everest Ymeraj na shoqëri edhe përgjatë vizitës sonë të kësaj ekspozite, duke na njohur me më shumë detaje mbi veprat e përzgjedhura, tematikën etj. “Ekuinoks Nato” ka qenë forma më dominante e të komunikuarit ndërmjet artistëve të kësaj ekspozite të veçantë, ku me punimet e tyre bashkëkohore, ata lidhën në gërshetin e jetës së përditshme ngjarje dhe fenomene adekuate me realitetin aktual. Nëpër tablo derdhen një sërë idesh, mendime dhe pasqyrime të jetës. Me zellin që përshkoi ëndërrat e shumë shqiptarëve, këta krijues të rinj të Akademisë së Arteve dhe të liceut artistik arritën që të përcillnin mesazhet e tyre mbështetur nga neomodernisti Imeraj. Pjesë e rëndësishme e kësaj ekspozite ishte prezantimi i ideve dhe pasqyrimi i tyre në lidhje të përhershme me kohën. Ata i dhanë më shumë jetë momenteve specifike të shoqërisë sonë në shkallët më superiore të, ku boshti i rrotullimit të domethënies së veprave ishte vetë ura artistike e të bashkuarit të dimensioneve në një të vetëm; koha me rrethrrotullimet e saj jetike që akumulohen në sferën e kupolës së rrjedhjes së ditëve. “Data 7 prill nuk ishte thjesht një ditë e zakonshme kalendarike por një kthesë sigurie për shtetin tonë. Si për koençidencë, numri shtatë është numri sinonim i pafundësisë dhe kjo na shpie të mendojmë dhe të urojmë që Shqipëria të njohë në gjithpërfshirjen e saj suksese të mëtejshme” – thotë kuratori Imeraj. Në këtë ekspozitë ishin të sjellura me mjeshtëri shumë gjini të artit si foto, instalacion, video, performancë , pikturë, skulpturë, grafikë etj. Etologjia e të gjithë artistëve kishte si synim kryesor konçizitetin e theksuar të konceptualitetit njerëzor në ditët e sotme. Këta artistë të rinj, arritën të flasin me gjuhën e ndjenjës artistike për ndodhi, histori e fenomene njerëzore, sociale e filozofike që lidhen me kombin tonë. Aty shumëkush gjente veten pasi ishte një pasqyrë e së vërtetës, pasqyrë e pastër ku dukeshin dhe gjurmët më të imëta të karakterit, punës apo mendimeve projektuese që sot ne mbartim në vizionet e së ardhmes. Artistët Everest Imeraj, Eduart Karaj, Erilda Selaj, Anisa Shtëpani, Erinda Durrsi, Ornida Hasantari, Lida Capa, Joland Bica, Emil Pejtamalli, Mariglez Memajdini, Xhokonda Dule, Gjergj Lalaj, Edi Dule, Danatella Aurora Serritella, shfaqën nga tre punime të tyret kushtuar tematikes “Ekuinoks Nato”, me rastin e antarësimit të Shqipërisë në Nato. Përkushtimi i tyre kurorëzoi në një të tërë dhënien e mesazhit universal se qënia njerëzore duhet të mbrohet nga çdo sulm politik dhe nga çdo ambicje pushtuese e re, apo e trashëguar qoftë. Përkrah artistëve tanë ishte dhe artistja italiane Danatella, e cila solli mes nesh idenë e vështrimit të realitetit në kohën moderne. Veprat e saj kishin në qendër të vëmendjes ëndrrat dhe interpretimin e tyre. Kjo nismë e studentëve u përkrah denjësisht nga FDE (Forumi për Demokraci dhe Etikë) me drejtor ekzekutiv Arian Galdinin dhe nga MTKRS. Ndër veprat kryesore të kuratorit Everest Imeraj do veçonim: “Big Brother dhe Dulla”, “Kriza Syleshi”, “Shqipëria në Nato” dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Një punë e veçantë, megjithëse e hershme dhe e ekspozuar edhe në të kaluarën ka qenë instalacioni i kuratorit Imeraj, frymëzuar nga romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të shkrimtarit Ismail Kadare. Në këtë rast kemi të bëjmë me atë që quhet fantazmagoria në artin konceptual; Sipas Everestit, gjenerali i ushtrisë së vdekur pozicionohet edhe në ditët e sotme si një individ që i shërben injorancës, madje e lavdëron atë me një krenari groteske. “Në ditët tona kemi një anemizëm të theksur në shumë instaca sociale-politike. Te gjenerali vazhdoj të gjej një aktualitet tipik, që duket se në çdo sekondë starton nismën e tij idioteske. Ky gjeneral me shumë të tjerë vazhdojnë misionet e tyre në zhvarrosjen e ushtrive të rëna me kohë. Kadareja bëri të mundur një eksplorim të studiuar të vdekjes. Ai kërkonte forcën sublime që thynte ligjet e vdekjes, se vdekja bëhet pishtar i jetës.” – shprehet Imeraj. Duhet thënë se artisti e sjell instalacionin në fjalë me një subjekt ndryshe dhe në një formë bashkohore. Sipas tij, lufta dhe paqja janë në duel me njëra-tjetrën, ndonëse i shoqëron një harmoni diabolike.
P. GROSI

15 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›