E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vllaznia-Tirana, finalja e parakohshme



Dash Frashëri

Vllaznia e Tirana do të luajnë të mërkurën në mbrëmje (18:30) aktin e parë të gjysmëfinaleve të edicionit të 57-të të Kupës së Shqipërisë, një finale e parakohshme, nisur edhe nga fakti se përballen dy skuadrat më të mira të sezonit (në kampionat bashkëkryesojnë me nga 54 pikë), por dhe se në takimet e para midis tyre janë ndalur në dy barazime: 0-0 në Shkodër dhe 1-1 në Tiranë.
Ashtu si Tirana dhe Vllaznia ka shanset që t’i fitojë të dyja trofetë e sezonit, çka do të ishte edhe dhurata më e bukur në 90-vjetorin e klubit më të vjetër në Shqipëri. Presidenca shkodrane do të japë edhe një superpremio për kualifikimin e Vllaznisë në finale, pasi synimi për fitimin për herë të shtatë të Kupës, duket më i realizueshëm, kur në finale do të jetë njëri nga ekipet e çiftit tjetër gjysmëfinal, Shkumbini apo Flamurtari.
Kapiteni i Vllaznisë, Vioresin Sinani, nuk luajti në finalen e edicionit të kaluar të Kupës së Shqipërisë, të luajtur në Elbasan e të fituar nga skuadra shkodrane 2-0, pasi ende nuk ishte rikuperuar në atë kohë nga dëmtimi.
“Të dyja skuadrat janë të denja për njëra-tjetrën, që do të thotë se do të jetë e vështirë si për ne, ashtu dhe për Tiranën”, - tha sulmuesi 31-vjeçar për mediat, i cili ka dalë golashënuesi më i mirë i Shqipërisë, si me Vllazninë (2003-2004, 36 gola; 2007-2008, 20 gola) ashtu dhe me Tiranën (2006-2007, 24 gola).
“Tirana është padyshim një nga ekipet më të mira në Shqipëri. Është një ekip i përgatitur. Ka një shpirt të lartë gare e grintë. Ne luajmë para tifozëve tanë, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, -shtoi autori i 11 golave në kampionat. Sinani është një njohësit më të mirë të futbollit shqiptar, pasi jo vetëm që luan që nga sezoni 1994-1995, e me tri ekipet më të mëdha në Shqipëri, Vllazninë (294 ndeshje) e Tiranën (29 ndeshje) përfshirë edhe eksperiencën e shkurtër me Dinamon (1996-1997), por dhe përvojës së tij në Kroaci (Varteks) e Turqi (Kajserispor).
Edhe për golashënuesin më të të mirë sezonal të Tiranës, Migen Memelli - 17 gola në kampionat; 8 në Kupën e Shqipërisë- sfida me Vllazninë është tejet e vështirë. “Ne barazuam pa gola në javën e parë kundër tyre në Shkodër, por dhe në ndeshjen e kthimit (1-1) në Tiranë. Fakti që edhe pas 27 javësh kemi pikë të barabarta flet qartë për forcën e dy ekipeve. Gjithsesi, është një ndeshje e hapur për të dy skuadrat dhe për të tre rezultatet”, - theksoi Memelli, i cili ka luajtur vetëm në takimin e parë kundër Vllaznisë, ndërkohë që sulmuesi pogradecar (mbush 29 vjeç, më 25 prill) mban edhe dy rekorde unike në këtë sezon: golin më të shpejtë të kampionatit, pas vetëm 8 sekondave lojë dhe pesë gola në fitoren 5-0 të Tiranës kundër Lushnjën në Kupën e Shqipërisë.
Në të njëjtën linjë është edhe mesfushori i Tiranës e Kombëtares, Ansi Agolli, një tjetër figurë simpatike e klubit kryeqytetas. “Kjo është një sfidë e vështirë, por ne mendojmë të japim maksimumin. Kupa është një trofe që ne e dëshirojmë”, - tha Agolli (3 gola në kampionat), i cili në fund të muajit mund të largohet në Finlandë te Vaas, skuadra që zotëron edhe kartonin e lojtarit të Kombëtares shqiptare, me një të kaluar edhe në Zvicër (Ksamaks, Lucern)
Trajneri Agustin Kola ka në dispozicion të gjithë titullarët, me përjashtim të mbrojtësit Andi Lila (të pezulluar). 13-herë fituesit e Kupës së Shqipërisë shpresojnë se do të kthehen nga “Loro Boriçi” me një rezultat pozitiv, për ta pasur më të sigurt kualifikimin në ndeshjen e dytë.
“Në Shkodër do të shkojmë për të marrë një rezultat sa më të mirë, që të jemi sa më të favorizuar në ndeshjen e kthimit. Shmangia e humbjes do të ishte diçka shumë e rëndësishme për ne”, - tha Kola, i cili pasoi boshnjako-kroatin Zlatko Daliç, ky i fundit dha dorëheqjen pas barazimit të Tiranës me Partizani, ndaj të cilit bardheblutë do të përballen në fundjavë.

EKIPET GJYSMËFINALISTE

FLAMURTARI
Flamurtari merr pjesë për herë të 17-të në gjysmëfinale. Në turin e parë Naftëtarin (6-1, 3-2), në të dytin Bylisin (1-1, 2-1) dhe në të tretin Partizani (1-0, në përballjen teke).

SHKUMBINI
Merr pjesë për herë të tretë në gjysmëfinale. Shkumbini në turin e parë eliminoi Gramozin e Ersekës (2-0, 4-0), në turin e dytë Apoloninë (0-0, 2-0) dhe në tretin Besën (1-1, 1-0).

VLLAZNIA
Merr pjesë për herë të tretë 27-të në gjysmëfinale. Vllaznia në turin e parë eliminoi Sopotin (4-0, 4-1, në turin e dytë Teutën (0-1, 3-1) dhe në tretin Dinamon (1-2, 2-0 në tavolinë).

TIRANA
Merr pjesë për herë të 30-të në gjysmëfinale. Në turin e parë eliminoi Tërbunin (1-1, 1-0), në të dytin Lushnjën (4-1, 5-0) dhe në të tretin Elbasanin (0-0, 2-0).

KUPA E SHQIPËRISË

Gjysmëfinalet

Ndeshjet e para
15 prill 2009
Flamurtari-Shkumbini (S.Jareci)
Vllaznia-Tirana (S.Çekaj)

Ndeshjet e kthimit
29 prill 2009
Shkumbini-Flamurtari
Tirana- Vllaznia

FINALJA
13 maj 2009

15 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›