Ska drejtësi për njerëz pasivë
Vetëm në luftën e fundit, Serbia ka vrarë 12.000 njerëz, afër 20.000 femra janë të dhunuara, janë 2.000 veta ende të pagjetur, kufomat e të cilëve ndodhen diku në Serbi në varrezat masive apo në shkritore të djegur, i ka deportuar jashtë Kosovës afër një milion e mbi një milion i kanë dëbuar nga shtëpitë e veta. E, tash prapë Serbia do që të vendosë për Kosovën.
Nëse EULEX-i është neutral ndaj statusit të Kosovës, ne, qytetarët e Kosovës, nuk jemi neutralë ndaj statusit të Kosovës dhe nuk mund të jemi neutralë ndaj EULEX-it.
Prezenca ndërkombëtare në Kosovë është e pranueshme, mirëpo: e para, ajo duhet të jetë në marrëveshje me Kosovën dhe jo me Serbinë; dhe, e dyta, ajo duhet të jetë ndihmuese për neve e jo sunduese mbi ne, ajo duhet të këshillojë e jo të ketë fuqi ekzekutive.
Edhe krerët e institucioneve të Kosovës kanë thënë se Plani i Ahtisaarit ishte çmim i pavarësisë, ishte koncesion joparimor për t’ia bërë qejfin Serbisë, që ajo të na e pranojë pavarësisë. Por tash, kur Serbia nuk na pranon, kur ajo financon strukturat paralele, të cilat e kontrollojnë çerekun e territorit të Kosovës për të na e rrënuar pavarësinë përbrenda, është absurde, është çmenduri, që ne ta zbatojmë Planin e Ahtisaarit, ose që ai të jetë pozita politike e institucioneve tona.
Institucionet e Kosovës, para se t’u ofrojnë plane faktorëve ndërkombëtarë, duhet t’i ofrojnë plane popullit të Kosovës. Plani që do t’ia ofronin popullit të Kosovës do të bëhej strategji për t’i mobilizuar të gjitha forcat tona intelektuale dhe fizike, për ta bërë Kosovën sovrane dhe të pandashme. Nëse më herët fjala kryesore e politikanëve ishte pavarësia, tash e tutje fjala e tyre kryesore duhet të jetë sovraniteti.
Kërkesa e Boris Tadiqit për ta ndarë Kosovën, ka kuptim vetëm nëse ai është i gatshëm që kërkesën e tij ta bëjë parim universal. Pra, nëse ai është i gatshëm që të ndahet Serbia. Nuk mund të jetë e pranueshme që Boris Tadiqi, në njërën anë do që serbëve në Kosovë t’ua sajojë një republikë të veçantë brenda Kosovës, ngjashëm si në Bosnje, kurse shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk u lejon as përdorimin e flamurit kombëtar dhe as universitetin. Stabiliteti në Ballkan dhe më tutje po bëhet në kurriz të shqiptarëve – nuk po bazohet në drejtësi, nuk po bazohet në barazi.
Ka rrezik që kundërshtimin e 6-pikave të Ban Ki-moon-it, Sejdiu e Thaçi ta keqpërdorin në dy drejtime. E para është, që, në emër të këtij kundërshtimi, ta zbatojnë decentralizimin. Dhe, e dyta, t’i shesin shpejt e shpejt dhe shumë lirë KEK-un, PTK-në, Aeroportin, Trepçën e ndërmarrje tjera që janë ndërtuar me djersën e këtij populli përgjatë gjithë shekullit njëzet. Kosovës i duhet sovraniteti para decentralizimit dhe i duhet dekolonizimi para privatizimit.
Në këtë botë nuk ka drejtësi për njerëzit pasivë.