E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zihen për pronat, kërcënon të atin me armë për ta vrarë



Ka kërcënuar babanë e tij se do ta vriste, pas një sherri për motive pronësie. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme në periferi të Tiranës. Në prangat e policisë ra 25-vjeçari Ernest Topalli. Ai është denoncuar nga babai i tij, Aqif Topalli, pas një konflikti midis të dyve në banesën e tyre në Babrru. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë të kryeqytetit, të cilat kanë bërë edhe ndalimin e 25-vjeçarit. Ai është shoqëruar në komisariat, ku është marrë në pyetje.

Ngjarja

Në mesditën e së mërkurës, në sallën operative të policisë së Tiranës erdhi një njoftim se në periferi të kryeqytetit, në Babrru po ndodhte një konflikt midis dy personave. Menjëherë në vendngjarje u nisën forcat e policisë të komisariatit nr. 5 të kryeqytetit. Pas verifikimeve të kryera, ata kryen arrestimin në flagrancë të 25-vjeçarit Ernest Topalli, lindur në Dibër dhe banues në Babrru. Arrestimi i tij u krye, pasi i riu ka kanosur me armë babanë e tij, shtetasin Aqif Topalli, 53 vjeç. Pas një kontrolli të ushtruar në banesë, uniformat blu gjetën edhe armën me të cilën ai kishte kërcënuar të atin, një automatik tip kallashnikov, model 56. Gjithashtu, në banesë u gjetën edhe 1 kallëp tritol, 86 fishekë model 56 dhe 2 fishekë model 54, të cilat 25-vjeçari i mbante pa leje.

Hetimi

Policia ngriti një grup pune, ndërkohë që shoqëroi babë e bir në komisariat. Nga deklarimet e bëra rezulton se shkak i konfliktit midis të dyve kishte qenë një sherr për pronat. Babë e bir duket se nuk kishin rënë dakord për pasurinë e tyre dhe mosmarrëveshjet e vazhdueshme kishin acaruar të riun. Ai kishte nisur sërish të debatonte me të atin, por pa arritur që të gjente një marrëveshje të përshtatshme për të. Nisur nga kjo, 25-vjeçari kishte marrë automatikun që e mbante të fshehur dhe kishte kërcënuar të atin se do ta vriste, nëse ky nuk i “dorëzohej” kërkesave të tij. Por denoncimi i kryer në polici, çoi në qelitë e paraburgimit të riun Ernest Topalli. Ai pritet të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit. 25-vjeçari akuzohet për kryerjen e veprave penale të “kanosjes” dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›