E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekutimi, efektivi në koma,përpjekje për kurim në Turqi

26/12/2011  Pyeten 25 persona për ngjarjen, policia skaner të dyshuarve, verifikim kamerave

TIRANE-Asnjë përmirësim s’ka pasur shëndeti i efektivit të Policisë Rrugore, Naim Hyska, i cili tre ditë më parë u qëllua me armë zjarri, nga një person ende i paidentifikuar. Gjatë ditës së djeshme Hyska ka kaluar në gjendje kome dhe se mjekët e Spitalit Ushtarak, shprehen se e kanë të pamundur të ndërhyjnë kirurgjikalisht, pasi kjo ndërhyrje mund të sillte vdekjen e policit gjatë procesit të operacionit. Ndërkohë që për shkak të gjendjes së rënduar dhe vështirësisë së operacionit, drejtues të Policisë së Shtetit dhe asaj të Ministrisë së Shëndetësisë kanë diskutuar për një kurim jashtë shtetit, ku siç mësohet po negociohet me drejtuesit e një spitali në Turqi. Mirëpo edhe në rast se do të arrihet një marrëveshje, mjekët shprehen se është e domosdoshme përmirësimi i shëndetit të efektivit të Policisë Rrugore, pasi në këtë gjendje që ndodhet, është e pamundur për një transportim jashtë shtetit. 46-vjeçari Naim Hyska u qëllua me një plumb në kokë afër kryqëzimit të “21 dhjetorit” në Tiranë, teksa ishte duke udhëtuar së bashku me djalin e tij 12-vjeçar në automjetin Benz-Mercedez. Lidhur me këtë ngjarje, policia e Tiranës në bashkëpunim edhe me asistencën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, janë duke kryer veprime hetimore për të bërë identifikimin e personit që ka qëlluar me pistoletë në drejtim të policit. Burimet i thanë gazetës “Metropol” se gjatë ditës së djeshme janë administruar në dosje dëshmitë e 25 personave, ku është marrë informacion mbi konfliktet e mundshme që mund të kenë ndikuar në ekzekutimin fizik të 46-vjeçarit Naim Hyska. “Në kushtet fillestare ku ndodhet hetimi, është e nevojshme të shikohen të gjitha pistat, duke bërë që në një periudhë të mëvonshme të dalim me dy ose me një pistë të vetme. Momentalisht, dyshimet janë për një ekzekutim për shkak të detyrës dhe se janë duke u verifikuar të gjitha konfliktet, që 46-vjeçari ka pasur me persona të ndryshëm”,-thanë burimet pranë grupit të hetimit. Ndërkohë që agjentë të Krimeve të Rënda me urdhër të Prokurorisë kanë sekuestruar pamjet filmike të dy kamerave që janë instaluar në zonën ku ndodhi krimi, por në të njëjtën kohë grupi i hetimit është duke verifikuar dhe pamjet filmike të regjistrua në disa rrugë, nga ku mendohet se është larguar autori pas kryerjes së krimit. Nga përshkrimi i disa dëshmitarëve, policia thotë se autori ka qenë rreth 25 deri në 35 i pamaskuar, dhe se i është afruar shumë afër automjetit të efektivit Naim Hyska, duke e qëlluar këtë të fundit me një plumb në kokë. Duke qenë se brenda në automjet ndodhej dhe djali i viktimës, policia dje ka tentuar të flasë me 12-vjeçarin, por ky i fundit për shkak të tronditjes psikologjike s’ka qenë në gjendje të komunikojë me oficerët e hetimit, të shpresojnë që të marrin të dhëna konkrete rreth identitetit të autorit. Pritet që në ditët në vazhdim, me ndihmën dhe të një psikologu 12-vjeçari të dëshmojë për llogari të hetuesve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›