E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasja, akuza asnjë masë dy prokurorëve të “Xhuvanit”

26/12/2011  Reagon sërish Prokuroria e Përgjithshme

TIRANE-Përplasjet mes dy institucioneve, Prokurorisë dhe ministrisë së Drejtësisë për politikën penale të dënimit të djalit të deputetes së PS, Luiza Xhuvani, Kostandin Xhuvanit, kanë vijuar sërish. Prokuroria shprehet e vendosur të mos e marrë parasysh raport-inspektimin e ministrisë, e për pasojë të mos marrë asnjë masë disiplinore ndaj dy prokurorëve Sokol Malaj dhe Shpëtim Kurti. Pavarësisht, replikës zyrtare të ministrit Eduart Halimi, burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme shprehen për gazetën e “Metropol” se i qëndrojnë besnik deklaratës së tyre, duke pohuar më tej se ai raport do të hidhet poshtë, duke mos u marrë parasysh. Burimet shtojnë se raporti ka ngjyrime politike dhe se në asnjë mënyrë nuk mund të merret si realist. Ndërkohë që shtojnë se dy prokurorët e përmendur duke ju përmbajtur dispozitave ligjore të procedurës penale, kanë bërë kualifikimin e duhur të akuzës dhe kanë qenë brenda kontureve të ligjit, për sa i përket masës së dënimit. Nga ana tjetër Ministria e Drejtësisë këmbëngul se dy prokurorët kanë shkelur ligjin, dhe për këtë duhet që ndaj tyre të merren masa disiplinore. Kjo është përplasja e radhës mes dy institucioneve në fjalë, pasi dhe më parë përballje të kësaj natyre kanë ndodhur si në rastin e Damir Fazlliçit, apo dhe të inspektimit të punës hetimore në Prokurorinë e Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›