E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutimi i 20-vjeçarit në Durrës, hetohet pista e hakmarrjes

SHKRUAN: Aleks Kalemasi 31-03-2011 16:50

DURRËS- Vrasja e 20-vjeçarit Arbër Bardhi mund të ketë pasur si motiv hakmarrjen, e cila lidhet me ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në fshatin Shënavlash të Durrësit 6 vite më parë. Burime nga policia e Durrësit kanë bërë të ditur se një nga pistat kryesore të hetimit është ajo e hakmarrjes, pasi i ati i viktimës, Ramazan Bardhi, ka qenë një prej personave që u përfshinë në konflikt me familjen Cara, ku nga të shtënat me armë mbetën të vrarë Pjetër, Maria dhe Gentiana Cara. I ati i viktimës, Ramazan Bardhi, aktualisht është në burg dhe vuan dënimin për ngjarjen që ndodhi në nëntor të vitit 2005 në lagjen “Mirditori” të Shënavlashit. Nga ana tjetër, 20-vjeçari Arbër Bardhi ka qenë person që është arrestuar disa herë për vjedhje si dhe armëmbajtje pa leje.

Nxjerrja në pritë

Mbrëmjen e së martës ai ka qenë nën shoqërinë e disa shokëve, por atë e ka marrë në telefon një person dhe fill pas telefonatës ai është ndarë dhe ka shkuar ta takojë. Më pas ndodhi vrasja, e cila ka qenë në pritë, në një rrugicë të errët pas një pallati në lagjen nr 4. 20-vjeçari është qëlluar pesë herë me pistoletë TT, në kokë dhe gjoks. Ai është varrosur në fshatin Shënavlash pasditen e djeshme nën masa të rrepta sigurie, fshat ku më parë banonte familja Bardhi, e shpërngulur pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në vitin 2005. Gjatë dy ditëve të fundit policia ka marrë shumë njerëz në pyetje, më së shumti të rinj si dhe personat që kanë qenë nën shoqërinë e 20-vjeçarit, i cili njihej me nofkën “kosovari”. Nga ana tjetër vendimtare për të zbardhur ngjarjen e rëndë pritet të jetë edhe zbardhja e telefonatës që thuhet se është kryer pak para vrasjes së tij. Vrasja e të riut është bërë nga mjaft afër, aq sa këtë e shpjegon edhe fakti që viktima është qëlluar pesë herë në trup, pra autori nuk ka gabuar në asnjë prej të shtënave. Paralelisht me personat e fundit që kanë qenë me të, policia po heton edhe të kaluarën e tij. Pjesëmarrja e tij në një grabitje në një lokal në qendër të qytetit dhe më pas kapja me armë në një kohë të mëvonshme, janë dy nga ngjarjet me të cilat ai është përballur me drejtësinë.

Ngjarja e Shënavlashit

Pas një konflikti banal, për kufirin ku do të kalonte një vijë uji, dy familje u përfshinë në një përplasje me armë dhe për shkak të të shtënave mbetën të vrarë shtetasit Pjetër e Marie Cara (burrë e grua) si dhe vajza e tyre 13 vjeçe në atë kohë, Gentiana Cara. Pala tjetër e përfshirë në konflikt ka qenë shtetasi Arben Vahaj dhe Ramazan Bardhi, i ati i Arbërit, i vrarë mbrëmjen e së martës. Konflikti mes familjes Cara, e cila kishte ardhur nga Mirdita, ka nisur për një tubacion për ujin e pijshëm. Pjetër Cara nuk ka lejuar që komshiu ta kalonte tubacionin në tokën e tij dhe kështu nisi sherri. Fillimisht Arben Vahaj rrihet nga pala tjetër, por ai njofton kunetërit e tij dhe kështu përplasja solli tri viktimat nga familja Cara dhe vrasjen e Alfred Vilës, kunati i Arben Vahaj. Më vonë është thënë se i përfshirë në këtë ngjarje ka qenë edhe Ramazan Bardhi, i cili tashmë vuan dënimin në burg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›