E Shtunë, 31 Tetor 2026

Probleme me ujërat e zeza, ndriçimin dhe sinjalistikën rrugore

BURREL- Tre janë problemet kryesore në qytetin e Burrelit, prania e ujërave të zeza në mjediset publike, mungesa e ndriçimit rrugor gjatë natës në disa rrugë të qytetit, si dhe mungesa e sinjalistikës horizontale rrugore. Banorët e lagjes së re, ata pranë ish SMT-së, prapa burgut të Burrelit etj. vazhdojnë të ankohen se prej muajsh vazhdojnë të vuajnë daljen e ujërave të zeza në sipërfaqe. “Era e rëndë dhe frika e infektimit nga këto ujëra na detyroi të kërkojmë në bashki ndërhyrje për zgjidhjen e këtij shqetësimi. Këtë rit kemi ndjekur prej gjashtë muajsh” - thanë banorë të lagjes së re Burrel. Ka probleme me ndriçimin rrugor në disa rrugë të qytetit Burrelit. Megjithëse kohë më parë janë vendosur shtyllat dhe llambat, këto të fundit janë dëmtuar nga agjentët e ndryshëm atmosferikë si dhe nga fëmijët që kanë dëmtuar llambat e ndriçimit. Më kritike gjendja paraqitet në rrugën që të çon te Spitali “Xhavit Mara”, Burrel. Prej muajsh ndriçimi rrugor është jashtë funksionit. Qytetarët i kanë kërkuar bashkisë të ndërhyjë për ta zgjidhur këtë shqetësim, pasi kjo rrugë është e populluar, sidomos në orët e natës. Jo vetëm bluzat e bardha janë të detyruar të lëvizin në çdo orë të natës, por janë edhe pacientët e të afërmit e tyre që e frekuentojnë atë. Burime pranë ndërmarrjes së shërbimeve bashkiake pohuan për “Mapo”-n se shqetësimi dihet dhe se do të merren masa urgjente për zgjidhjen e shqetësimit në fjalë. “Do të sigurojmë llambat e reja, pasi një pjesë e atyre ekzistuese janë dëmtuar për shkak të agjentëve atmosferikë dhe nga fëmijët që i kanë përdoruar ato si “tabelë qitje”. Probleme serioze janë krijuar edhe në lagjet periferike të qytetit, pasi askush nuk interesohet për mirëmbajtjen e ndriçimit rrugor. Mungon sinjalistika rrugore në qytetin e Burrelit. Prej një viti ishte premtuar nga ana e bashkisë së këtij qyteti kryerja e vizimeve në të gjitha rrugët kryesore të qytetit. Nëse për sinjalistikën vertikale është treguar një farë kujdesi, për sinjalistikën horizontale nuk është bërë asgjë. As në sheshet kryesore, as në qendër të qytetit, as në kryqëzime, as para shkollave 9-vjeçare dhe të mesme nuk janë vizuar rrugët, për të normalizuar lëvizjen e automjeteve dhe njerëzve. Në mars të vitit kaluar këshilli bashkiak Burrel diskutoi rreth këtij shqetësimi qytetar dhe vendosi që në bashkëpunim me policinë rrugore të bëhet vizimi i rrugëve, duke parandaluar kështu aksidentet rrugore dhe duke disiplinuar trafikun. Ka kaluar një vit dhe rrugët e Burrelit ngjajnë me ato të fshatrave. P. HASA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›