E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagos me armë babanë dhe dy djemtë, në kërkim 46-vjeçari

SHKRUAN: Aleks Kalemasi 31-03-2011 16:45

DURRËS- Tre vetë kanë mbetur të plagosur me armë zjarri pas një sherri që ka nisur për çështjen e një vije uji. Babai dhe dy djemtë e tij janë qëlluar me pistoletë nga një bashkëfshatar i tyre në fshatin Gjepalaj, 5 km larg Shijakut. Burime të policisë së Durrësit kanë bërë të ditur se Hekuran Kurti 42 vjeç dhe dy djemtë e tij, Besmir Kurti 21 vjeç dhe Ermal Kurti 19 vjeç, janë qëlluar me armë zjarri nga shtetasi Arsen Shehu 46 vjeç.

Plagosja

Ngjarja ka ndodhur në rrugë, në fshatin Gjepalaj, rreth orës 19.15. Sipas të njëjtave burime të tre personat janë qëlluar me nga një plumb nga 46-vjeçari Arsen Shehu, për motive që ende nuk bëhen të ditura nga policia e Durrësit. Por mësohet se zënka mes dy familjeve, Kurti dhe Shehu ka qenë për pronësinë e një vije uji. Pas sherrit që ka nisur në rrugë, 46-vjeçari Shehu nuk ka nguruar dhe ka nxjerrë armën, pistoletë tip TT që e mbante me vete dhe ka qëlluar mbi tre personat e të njëjtës familje. Pas kësaj ai është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që tre pjesëtarët e familjes Kurti janë dërguar me shpejtësi drejt spitalit të Durrësit. Rreth orës 19.45 ata kanë mbërritur në urgjencën e spitalit rajonal, ku të plagosurit i janë nënshtruar ndërhyrjes mjekësore. Sipas burimeve nga spitali rajonal i Durrësit të tre personat kanë pasur nga një plagë në trup të shkaktuar nga arma e zjarrit, por 19 vjeçari E. Kurti ka qenë në gjendje më të rëndë. Ai është futur në sallën e operacionit, ndërsa babai dhe vëllai i tij gjenden jashtë rrezikut për jetën.

Kërkimi

Policia e komisariatit të Shijakut dhe forca të tjera nga Durrësit kanë mbërritur në vendngjarje duke nisur kërkimet për gjetjen e autorit të kësaj ngjarje të rëndë. Pasi ka marrë në pyetje disa persona që ndodheshin në vendin e ngjarjes si dhe ka fiksuar të gjitha provat. Menjëherë pas kësaj policia e ka mësuar menjëherë identitetin e autorit që ka qëlluar me armë drejt tre pjesëtarëve të një familje dhe ka bërë të mundur ngritjen e disa postblloqeve për të bërë kapjen e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›