I sëmuri mendor vret me gurë një 9-vjeçar
BERAT- Një fëmijë 9 vjeç është qëlluar me sende të forta nga një i sëmurë mendor. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një fshat të Beratit, ndërsa policia ka mundur të vërë në pranga autorin e kësaj ngjarjeje. I mituri Endri Ndreka ka humbur jetën në spitalin e Fierit, ku është dërguar nga familjarët e tij për të marrë ndihmën e parë mjekësore.
Ngjarja
Burime zyrtare të policisë kanë bërë me dije se ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Donofrosë, në komunën Cukalat, në rrethin e Beratit. Po të njëjtat burime kanë saktësuar se fëmija 9 vjeç është goditur për vdekje me mjete të forta nga një i sëmurë mendor. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 17.00 të ditës së djeshme, kur Hysen Sulkaj, 26 vjeç, banor i Donofrosës, ka goditur me gurë të miturin vetëm 9 vjeç Endri Ndreka. Mësohet se i mituri ndodhej me prindërit për vizitë te të afërm të tij në fshatin Donofrosë. Fëmija ka qenë nga fshati Luar i Fierit. I mituri ishte duke luajtur jashtë banesës së të afërmve të tij, kur është sulmuar nga i sëmuri mendor. Fillimisht ka qenë policia e Fierit, e cila ka bërë me dije se vdekja e 9-vjeçarit kishte ardhur pasi kishte rënë nga një karrocë me kuaj me të cilën ishte duke luajtur me bashkëmoshatarët e tij. Ndërsa më pas në orët e vona të mbrëmjes, pas marrjes në pyetje të familjarëve, rezultoi se fëmija ka humbur jetën si pasojë e goditjeve të forta në kokë. Goditja ka qenë e fortë duke i shkaktuar vdekjen të miturit. Ai nuk ka arritur dot të marrë mjekim në spitalin e Fierit, ku është drejtuar menjëherë pas ngjarjes, duke gjetur vdekjen rrugës për në spital. Të njëjtën gjë e ka pohuar edhe mjeku ligjor, i cili ka pohuar se vdekja e tij ka ardhur si pasojë e goditjeve dhe hematomave të mëdha që ka marrë.
Arrestimi
Menjëherë pasi është mësuar se fëmija 9-vjeçar ka ndërruar jetë, uniformat blu të Fierit kanë lajmëruar dhe homologët e tyre të Beratit, kur i kanë bërë me dije se vdekja e tij nuk ka qenë aksidentale, por ka ardhur si pasojë e goditjes së mjeteve të forta. Po kështu edhe agjentët e policisë së Beratit kanë marrë në pyetje familjarët e tij, të cilët kanë shpjeguar se djali ka qenë duke luajtur në momentin kur është sulmuar nga i sëmuri mendor. Uniformat blu të Beratit kanë bërë arrestimin e 26-vjeçarit Ndreka dhe e kanë dërguar më pas në ambientet e paraburgimit të komisariatit.