E Diel, 1 Nëntor 2026

Garanti padit kredimarrësin, pasi banka po i merrte lekët e tij



KORÇË - Kreditë e këqija janë bërë problem i madh për qytetarët të cilët kan hyrë garant për miqtë e tyre dhe këta të fundit tani nuk i shlyejnë dot. Një qytetar nga Korça, pasi banka i ka mbajtur paratë pasi kishte hyrë garant, ka vendosur që të denoncojë në polici shokun e tij për mashtrim. Burime zyrtare nga Policia e Korçës thanë se, kanë administruar denoncimin dhe kanë nisur hetimet. Kur banka po i mbante lekët, njeriu që kujtoi se ishte gjë me vlerë t’i bëje nder një shoku duke i dalë garant, ka denoncuar në polici rastin e tij. Ngjarja mësohet se ka ndodhur në qytetin e Korçës dhe raportohet nga burimet policore të saj, duke saktësuar se denoncuesi i saj është 34-vjeçari me emrin E. Shishmani, banues i këtij qyteti. Ai ka paraqitur para tyre ankesën se shoku i tij Erlin Dinellari, 34 vjeç, pasi ka marrë kredi nën garancinë e tij tek një prej bankave private nuk po e paguan atë dhe ndaj ai po detyrohet të paguajë në emër të tij. Menjëherë forcat e policisë nisën kryerjen e veprimeve hetimore proceduriale në gjendje të lirë ndaj Dinellarit, për veprën penale të “mashtrimit”.
Kreditë e pashlyera
Kreditë e pashlyera kanë vazhduar të rriten edhe gjatë muajve të fundit. Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë dëshmojnë se në 3-mujorin e parë të këtij viti, kreditë e këqija në banka u rritën me 1.2 pikë përqindjeje krahasuar me muajt tetor-dhjetor të vitit të kaluar dhe 4 për qind më shumë krahasuar me fillimin e 2009-ës. Sipas BSH-së aktualisht kreditë e pashlyera në banka janë rreth 49 miliardë lekë ose afro 490 milionë dollarë duke zënë rreth 11.46 për qind të totalit të gjithë kredive. Krahasuar me 3-mujorin e parë të vitit 2009, kur kreditë e këqija ishin 31 miliardë lekë, ato janë në vlerë me rreth 58 për qind. Në dy vitet e fundit, kreditë e pashlyera në banka gati janë trefishuar. Në këtë situatë BSH-ja ka detyruar bankat private që të mbajnë më shumë fonde rezervë të papërdorura si garanci, për humbjet financiare që mund të vijnë nga kreditë e këqija. Sipas të dhënave zyrtare, këto fonde garancie krahasuar me 3-mujorin e parë të vitit 2008 janë rritur me 2.3 herë. Për të qenë të sigurta bankat detyrohen që të mbajnë më shumë fonde të papërdorura si garanci, veç kësaj, humbjet nga kreditë e pashlyera i bëjnë ato që të rrisin interesat e kredive për biznesin dhe individët.
Vonesat
Bankat u përballën me vonesa masive në shlyerjen e kredive gjatë vitit të kaluar, si pasojë e krizës financiare ndërkombëtare dhe impaktit të saj në Shqipëri. Kreditë nënstandarde që njihen gjerësisht si “kredi të këqija”, u rritën nga 6.82 për qind e totalit të kredive në janar 2009, në 11.8 për qind në shkurt të këtij viti. Për pasojë, bankat filluan të rrisin interesat për kreditorët e rregullt për të kompensuar humbjet. Për shkak të interesave të larta të kredive në vendin tonë, rritja e kredive nënstandarde shkaktoi rënie të fitimeve të bankave, por jo humbje për to.
Klientët e këqij
Kreditë e këqija i përkasin veçanërisht klientëve të kategorisë së biznesit. Ato janë pjesërisht rezultat i garës së fortë mes bankave për të kapur tregun e kreditimit gjatë viteve 2004-2008, kur portofolat e tyre të kredive u rritën me 50-70 për qind në vit. Rritja e shpejtë e kredive, si dhe presioni mbi oficerët e kredive për të firmosur sa më shumë kontrata, duket se solli edhe gabime në këtë proces.

Kapet me 30 kg cannabis në makinë, arrestohet 42-vjeçari
SHKODËR - Një 42-vjeçar është vënë në pranga pasi i janë gjetur 24 pako prej 30 kilogramësh që dyshohet se janë Cannabis Sativa. Burime zyrtare nga Policia e Shkodrës, bënë të ditur se, dy ditë më parë në orën 20:00, uniformat blu si rezultat i një pune të gjatë operative, në bashkëpunim edhe me sektorin e Krimit të Organizuar, me Komisariatin e Policisë Shkodër dhe Komisariatin e Policise Malësi e Madhe, kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të Agim Gurraj, 42 vjeç, banues në fshatin Shtoj i Vjetër, rrethi Shkodër, i dënuar më parë për “trafikim të mjeteve motorrike”. Arrestimi i 42-vjeçarit është bërë pas një operacioni të policisë, pasi rreth orës 18:00, në hyrje të qytetit Koplik, rrethi Malësi e Madhe, gjatë kontrollit të ushtruar në bagazhin e automjetit të tij tip “Benz” me targa SH 0381 E janë gjetur e bllokuar 24 pako të vendosura në qese plastike që dyshohen të jenë lëndë narkotike Cannabis Sativa. Uniformat blu thanë se, pas gjetjes së tyre, i dyshuari është shoqëruar për në ambientet e policisë ku është marrë në pyetje. Pas ndalimit të tij, janë kryer të gjitha veprimet e duhura proceduriale e hetimore dhe materialet në ngarkim të shtetasit të lartëpërmendur i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale të “prodhim dhe shitje e narkotikeve”.

Kthimi i emigrantëve, 80 viktima në aksidentet e ndodhura në verë
TIRANË - Rreth 80 persona humbën jetën gjatë vitit të kaluar vetëm në stinën e verës si pasojë e aksidenteve rrugore. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik kanë vërejtur se aksidentet me vdekje janë shkaktuar kryesisht nga emigrantët të cilët kur vinë në Shqipëri nuk respektojnë asnjë rregull të qarkullimit rrugor, dhe lëvizin me shpejtësi mbi çdo normë të lejuar. “Targat e huaja kanë qenë protagonistët kryesorë të aksidenteve, sidomos ato makinë me timon në krah të kundert”, thotë specialisti Boris Miska. Aksidentet rrugore vazhdojnë të mbeten të larta edhe pas kontrolleve dhe gjobave të shumta të policisë rrugore, pasi kryesisht emigrantët janë të prirur të qarkullojnë duke shkellur rregullat. “Ashtu edhe si në rrugët e Europës emigrantët kur kthehen në Shqipëri, duhet të tregojnë rregull, kujdes sepse rrezikojnë jetën e tyre dhe të qytetarëve të tjerë”, u shpreh Miska. Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2009, 19 për qind e aksidenteve janë shkaktuar nga kalimtarët e pakujdesshëm. Gjatë këtij viti janë regjistruar 378 vdejekje, dhe rreth 368 persona të plagosur. Numri i aksidenteve të regjistruara një vit më parë është 1316 dhe është më i lartë se 3 vite më parë.

Dy plagosje me armë dhe thikë,
një i ri në gjendje të rëndë
TIRANË - Dy persona janë plagosur në Tiranë dhe Elbasan, pas dy sherreve. Në kryeqytet Elton Shyti, 24 vjeç, ka marrë plagë të rënda pasi është qëlluar me armë. Siç është bërë e ditur nga policia, i riu është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak ku ndodhet në gjendje të rëndë. Një tjetër ngjarje ka ndodhur në Elbasan, ku është plagosur me thikë një 35-vjeçar. Burime policore kanë bërë të ditur se, Gëzim Murati ka marrë disa plagë pasi është goditur me thikë. Ai ndodhet në spitalin kirurgjik nën kujdesin e mjekëve. Nuk është bërë e ditur asgjë në lidhje me dy autorët e krimeve. Ngjarjet kanë ndodhur në orët e pasdites në të dy qytetet.

16 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›