Kallëzim penal për financieren e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë
Një financiere e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë është kallëzuar për ndjekje penale në Prokurorinë e Tiranës. Shefja e sektorit të Financës së ISUV-së rezultoi se kishte përfituar para në mënyrë të paligjshme nga llogaria e institucionit ku punonte. Pas kryerjes së Auditimit të brendshëm në sektorin e financës të këtij institucioni u konstatuan parregullsi dhe mosrakordim i shifrës totale të borderosë së punonjësve me atë individuale për çdo punonjës. Pas kontrolleve të tjera, për të krahasuar borderotë që dorëzoheshin nga Institucioni dhe shumës së parave që kalonin në llogarinë bankare të çdo punonjësi, u arrit në përfundimin se vlera që shtohej në fund të shumës totale të borderosë, kalonte në llogarinë individuale të shefes së sektorit të financës Irma Nikolla Paluka. Vlera e parave të përfituar në mënyrë të paligjshme nga financierja e ISUV-së është rreth 3 milionë lekë. Siç ka pranuar edhe vetë në një deklaratë të lëshuar me shkrim, shefja e sektorit të financës këtë veprim e kryente duke “ndërruar fletën e borderosë ku ishte emri im që i shtohej vlefta që nuk kuadronte në borderonë e muajit. Nga përllogaritjet e deritanishme të Auditimit, i cili është akoma në proces, vlera që ky person ka përfituar shkon në shifrën 2 827 996 lekë. Të gjitha këto veprime të kundraligjshme dhe falsifikime i kanë sjellë një dëm të konsiderueshëm buxhetit të shtetit. Në këto kushte, drejtoria e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë ia ka kaluar këtë çështje prokurorisë.
Bashkia për të lehtësuar trafikun, kryqëzime me katër korsi
Bashkia e Tiranës po ndërhyn në të gjitha kryqëzimet kryesore të Tiranës duke shndërruar hyrje-daljet e tyre me katër korsi. Këtë masë Bashkia e ka marr për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve dhe për të mos rënduar trafikun. Projekti ka nisur te zbatohet ne kryqëzimin e 21 Dhjetorit si një ndër me problematiket në kryeqytet. Masterplani i zhvillimit të transportit të qëndrueshëm konsiston në ndërtimin e korsive të dedikuara, përmirësimin e aparaturave semaforike për lehtësimin e trafikut dhe dhënien prioritet mjeteve të transportit publik. Nga Bashkia e Tiranës është bërë e ditur se ndërhyrjet që po kryhen në kryqëzimin e 21 Dhjetorit do të vijojnë në 23 rrugët dhe sheshet kryesore të kryeqytetit.
16 Korrik 2010