E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Ksera: “Pagesat sipas kategorive për personat më aftësi të kufizuar”



Avushe Zhuka

Ministria e Punës e Çështjeve dhe Shanseve të Barabarta bën publike pagesat e reja për të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizuar. Ministri Spiro Ksera, bëri të ditur se për mbështetjen e personave me aftësi të kufizuar, nga buxheti i shtetit, është rritur fondi nga 6 miliardë lekë në vitin 2005, në 11,7 miliardë lekë në vitin 2010. Më tej ai shpjegoi rritjen e pagesave për personat me aftësi të kufizuar, sipas kategorive të të verbërve, paraplegjikëve, të paaftëve dhe kujdestarëve. Sipas tij, pagesa e paaftësisë është rritur me 2200 lekë gjatë pesë viteve të fundit. Në vitin 2005 kjo pagesë ishte në masën 6 500 lekë në muaj, ndërsa në vitin 2010 duke shtuar edhe rritjen e fundit të bërë nga qeveria pak ditë më parë shton në masën 8700 lekë në muaj. Pagesa për personat e verbër është rritur me 3300 lekë gjatë pesë viteve të fundit. Personat e verbër përfitojnë pagesën prej 9800 lekë.
Pagesa
Për paraplegjikët pagesa e paaftësisë është bërë në 8700 lekë. Kujdestarët e të verbërve përfitojnë 9800 lekë,330 lekë më shumë se në vitin 2005. Pagesa e kujdestarisë për paraplegjikët është rritur me 2700 lekë. Në vitin 2005 pagesa për këtë kategori ka qenë 6500 lekë. Kujdestarët e të paaftëve përfitojnë një pagesë prej 8700 lekësh. Pagesa e karburantit që përfitojnë personat me aftësi të kufizuar me vendim qeverie është 7000 nga 4000 lekë që ishte pesë vjet më parë. Po kështu është rritur me 2,4 herë përfitimi i masës ekonomike nga 2000 lekë që ishte në vitin 2005, në 4800 lekë. Paketa higjieno-sanitare për paraplegjikët u vendos për herë të parë në vitin 2005 dhe ishte në masën 8000 lekë në muaj, ndërsa aktualisht është 16 000 lekë në muaj.
Sigurimet Në vitin 2009 u vendosën për herë të parë sigurimet shoqërore për kujdestarët e paraplegjikëve. Ka pasur një rritje të shpejtë të numrit të përfituesve në këto vitet e fundit, ku shpenzimet për këtë kategori janë dyfishuar. Pagesa për aftësinë e kufizuar është 50 për qind e pagës minimale. Ndihma për të verbrit, paraplegjik dhe tetraplegjikët përfshin pagesat mujore për PAK dhe një pagë plus për kujdestarët, përjashtim nga taksa e drejtpërdrejtë, karburantin falas dhe 50 për qind për transportin ndër urban. Personat me aftësi të kufizuar mendorë e fizikë përfitojnë nj ë pagesë mujore dhe një pagesë plus për kujdestarët e tyre nëse është e nevojshme. Pagesat për invalidët e punës, për ata që janë dëmtuar në punë dhe që kontribuojnë për sigurimet shoqërore, përfshijnë pensionet e invalidëve nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, në këtë mënyrë ato përjashtohen nga taksat e drejtpërdrejta, subvencionim për energjinë, rimbursim për ilaçet, transportin publik falas dhe 50 për qind për transportin ndër urban. Deri tani, vlerësohen 12000 fëmijë me aftësi të kufizuara.

Pagesat e Personave me aftësi të kufizuar

Pagesat e PAK- krahasimi 2005 2010 rritja në për qindje

1-Pagesa e paaftësisë 6500 lekë/muaj 8700 lek/muaj 34 për qind
2-Pagesa e të verbërve 6500 9800 50 për qind
3-Paraplegjikët 6500 8700 34 për qind
4-Kujdestarët e të verbërve 6500 9800 50 për qind
5-Kujdestarët e paraplegjikëve 6500 9200 42 për qind
6-Kujdestarët e të paaftëve 6500 8700 34 për qind
7-Pagesa e karburantit 4000 7000 75 për qind
8-Masa e ndihmës ekonomike 2000 4800 2,4 herë
9-Paketa higjeno-sanitare/paraplegjikët u fut në 2005 me 8000 lekë/muaj dhe aktualisht është 16 000 lekë/muaj

Marrëveshje për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar

Ministri i Punës Spiro Ksera dhe përfaqësuesja e përhershme e OKB-së për Shqipërinë Gulden Turkoz-Cosslet firmosën marrëveshjen e bashkëpunimit për realizimin e projektit të përbashkët për promovimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar në Shqipëri. Marrëveshja bazohet në realizimin e një Programi dyvjeçar mbështetës për strukturat qendrore, vendore dhe shoqërinë civile për realizimin e ratifikimit të Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.
“Integrimi i personave me aftësi të kufizuar vazhdon të mbetet një nga sfidat permanente sociale në vendin tonë, si dhe një prioritet i institucioneve shtetërore përgjegjëse për njohjen e garantimin e të drejtave të tyre si dhe trajtimin si pjesëtarë të barabartë të shoqërisë”, u shpreh sot Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera. Sipas përfaqësues së OKB, Cosslet, “veprimtaritë e projektit frymëzohen dhe përputhen plotësisht me parimet e OKB dhe BE për promovimin e mundësive të barabarta dhe mos diskriminimin e personave me aftësi të kufizuara”.Ratifikimi i Konventës së OKB për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar (KDPAK) merr një rëndësi të veçantë në përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë në mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të njeriut, por edhe në kuadër të procesit të integrimit Evropian të vendit, pasi Komunitetet Europiane e kanë nënshkruar këtë Konventë në vitin 2007 dhe një numër i konsiderueshëm i shteteve anëtare të BE-së tashmë edhe e kanë miratuar.

16 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›